Me furgonin e regjisë, një kameraman, një person që mban mikrofonin dhe një ‘bodyguard’, Partia Demokratike zbarkoi sot në inceneratorin e Sharrës në Tiranë.
Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi, me një fjalim të përgatitur nga zyra e PD, u pozicionuan para impiantit modern të përpunimit të mbetjeve dhe nisën të lexonin atë që u kishin shkruar. Dëshmi për këtë është një punonjës i PD, që mban në dorë një tablet të madh, ndërsa Zhupa lexon atë që është shkruar aty.
E gjithë mizanskena u zhvillua prapa gardhit të impiantit. PD fliste për male me inerte, ndërsa pak metra pas tyre shiheshin kodra të pastruara dhe të gjelbëruara.
Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të një prej përfaqësuesve të kompanisë, që ata të futeshin brenda impiantit dhe të njiheshin me realitetin, Zhupa dhe Këlliçi refuzuan. Përfaqësuesi i firmës, siç mund të dëgjoni në këtë video, iu lut disa herë atyre që para se të lexonin deklaratën, të futeshin brenda impiantit dhe të njiheshin me realitetin.
“Jeni të mirëpritur të vini brenda të shihni gjithë investimin që është bërë. Ju lutëm, para se të flisni për çfarë keni ardhur, hajdeni dhe shihni brenda investimin. Pare se të lexoni tekstet që keni përgatitur, ju lutem hajdeni brenda të shihni investimin që është bërë, pastaj flisni për gjërat që keni këtu. Tekstet e përgatitura nuk janë të vërteta siç i paraqisni, afrohuni dhe shihni se çfarë ndodh brënda. Ju lutëm, jeni të mirëpritur.”, dëgjohet të thotë përfaqësuesi i firmës, në videon e siguruar nga SHQIP.
Për të treguar sesa serioze është kauza, Ina Zhupa, gjatë kohës që nuk filmohet nga kamerat e PD, qesh papushim, ndërsa vihet në siklet nga oferta e përfaqësuesit të impiantit.
Sidoqoftë, vendimi i zyrtarëve të PD, që thjesht bëjnë një detyrë për të cilën janë ngarkuar nga shefi i tyre, është i pranueshëm.
Realiteti brenda Sharrës nuk mund të fshihet, dhe futja brenda këtij impianti do ta rrëzonte direkt filmin e orkestruar në zyrat e PD-së.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është; Nësë PD thotë se brenda impiantit ka një mal me inerte, pse refuzoi ftesën e kompanisë për t’u futur brenda dhe për të filmuar pamjet?