Ku dreqin paskan qenë gjithë këto para? Nga dalin? Ku përfunojnë? Këto janë disa nga pyetjet që çdo qytetar i bën vetes pasi lexon lajmet në lidhje me tenderat e panumërt me shifra stratosferike që jepen nga institucionet shtetërore në Shqipëri. Sigurisht përgjigjia se ku përfundojnë është e qartë për të gjithë. Kudo tjetër mund të përfundojnë, përveçse aty ku duhet. Dhe në shumicën e rasteve, termi “kudo tjetër” përfshin xhepat e oligarkëve dhe të organizatorëve të tenderit.
Njëri prej personave i cili rezulton të jetë i përfshirë në dhënien e shumë tenderave të dyshimtë, është edhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho. Të shumta janë rastet që ka publikuar JOQ Albania në lidhje me abuzimet e tenderave të organizuara nga ARRSH. E me sa duket listës së gjatë të tyre do t’i shtohet edhe rasti që do t’ju paraqesim në vijim.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-65278-07-13-2020 dhe me objekt Loti X: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga "B.Curri – Valbonë, U.Bujan – Q.Morinë (doganë), Sopot-Kernajë, Q.Mejdan -Tropoje-Bucaj ". Fondi limit i këtij tenderi ka qenë 194,202,038 lekë të reja pa TVSH, ndërsa fituesi ka ofruar 194,052,710 lekë të reja pa TVSH. Sic evidentohet qartë, diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është qesharake, thuajse 150,000 lekë të reja. E shprehur në përqindje, oferta fituese është sa 99,92% e fondit limit, një fakt alarmues ky që lë vend për dyshime të forta se fituesi i tenderit është i paracaktuar.
Nga ana tjetër, rezulton se në të ashtuqujturën garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, ku diferenca mes vlerave të ofruara nga secila është vetëm 400 mijë lekë të vjetra. Një tjetër fakt ky që sinjalizon për dyshime në autenticitetin e procedurës. Por cili është fituesi? Bëhet fjalë për kompaninë “FLORIDA” SHPK me ponarë Lulzim Rrahmanaj dhe Zeqir Bushgjokaj. Në vetëm 6 vitet e fundit figuron se kjo kompani ka përfituar nga institucionet e shtetit tendera në një vlerë rreth 4,4 miliardë lekë të vjetra.
Me sa duket, Ergys Verdho në postin e drejtorit të ARRSH-së, vazhdon të jetë një shatërvan i vërtetë nga ku burojnë lekë më shumicë për të kënaqur të gjithë ata që duhen kënaqur. Habi e vërtetë është edhe faksi se si ka mundësi që SPAK nuk bën asgjë në këtë drejtim.