JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Ermal Beqiri që rrëzoi videon Meta-Prifti “gostitet” me 1 miliardë të tjera nga Mirlinda e AKSHI-t
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15/09/2020 22:13

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ore e keni vënë re që gjithmonë e më tepër po paraqesim fakte se si partitë në Shqipëri bashkëpunojnë fare mirë me njëra-tjetrën kur vjen puna tek miliardat? Ndërkohë që populli zihet se cila parti është më e mirë, në të vërtëtë ata tallen me ju ndërsa vetë mbushin xhepat e tyre. Madje aq shumë kemi nxjerrë bashkëpunime të tilla saqë tashmë janë bërë një rutinë. Leku është i ëmbël për të gjithë, pavarësisht nëse ke ngjyrë mavi, blu apo të kuqe.

Nëse më parë ju kemi paraqitur kryesisht raste të bashkëpunimit PS-PD, tashmë po ju paraqesim një rast tjetër që ka lidhje me ekspertin e informatikës i cili rrëzoi videon e shumëpërfolur Meta-Prifti, duke shpallur Ilir Metën të pafajshëm. Bëhet fjalë për një personazh të quajtur Ermal Beqiri. Nëse i referohemi artikujve të shumtë medias, rezulton se ky person fshihet pas kompanisë “Soft & Solution” sh.p.k. e cila “me letra” administrohet dhe zotërohet nga nje vajzë bionde e quajtur Arjola Koromani.

Ermal Beqiri është eksperti i informatikës i cili me ekspertizën e tij rrëzoi në Gjykatën e Lartë videon e korrupsionit Meta-Prifti, duke qenë elementi kyç në shpalljen e pafajshëm të Ilir Metës. Pas fitores së koalicionit PS-LSI në 2013, Beqiri u angazhua edhe si konsulent i qeverisë për hetimet e brendshme mbi skandalin e serverit të Tatimeve. Për këtë u shpëerblye duke u emëruar drejtor i departamentit të informatikës i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme (ZRPP). Gjatë kësaj kohe shoqëria “Soft & Solution” shpk ka fituar shumë tendera nga ZRPP për produkte dhe materiale në fushën e informatikës. E thënë shqip, Ermali qe drejtuesi i një zyre që i jepte punë publike një firme të lidhur me të.

Por duket se ky personazh vazhdon të gllabërojë në mënyrë të çuditshme tendera të tjerë në shifra marramendëse nga pushteti i Rilindjes, më saktësisht nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ose ndryshe AKSHI, e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj. Kështu, vetëm pak muaj më parë, Mirlinda i “dhuroi” një tender me vlerë rreth 1,8 miliardë lekë të vjetra. Por pa u bërë akoma 3 muaj, “dashuria” e Mirlindës me ekspertin që shpalli të pafajshëm Ilir Metën duket se vazhdon të “lulëzojë”.

Kështu rezulton se kompania “Soft & Solution” shpk ka fituar një tjetër tender nga AKSHI me vlerë rreth 1 miliardë lekë të vjetra pa TVSH. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-65605-07-15-2020 dhe me objekt “Dixhitalizimi i sherbimeve doganore”. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, del se kompania fituese ka ofruar një vlerë të barabartë me 96,44% të fondit limit të tenderit, çka është një tregues shumë i dyshimtë se fituesi ka qenë i paracaktuar.