JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

“Plas peshku” te ish-Spitali Ushtarak, 1,8 miliardë lekë për larje çarçafësh
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16/07/2020 22:22

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Tenderat janë një nga mënyrat më të mira për të “gllabëruar” apo “kullufitur” paratë e popullit. Skema është mjaft e thjeshtë. Ti si qytetar paguan një mal me taksa për shërbimet që kurrë nuk i merr siç duhet dhe nga ana tjetër këto para shpërndahen nëpërmjet tenderave tek xhepat e “miqve” të pushtetit.

Një ndër fushat ku abuzohet maksimalisht është edhe shëndetësia. “Leku letër” bëhet jo vetëm me medikamenet mjekësore por edhe nëpërmjet pastrimit apo larjes së çarçafëve apo dyshekëve. I tillë është rasti i ish-Spitalit Ushtarak, apo siç njihet zyrtarisht, SPITALI UNIVERSITAR I TRAUMES.

Kështu nëpërmjet një tenderi me numër reference REF-56491-04-21-2020, janë dhënë “me një dorë” plot 1,8 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Tenderi ka si objekt “Kryerje e shërbimit të lavanderisë për një periudhë 48 mujore në SUT”.

Pra ky “mal” me para do të përdoret përkatësisht për larje çarçafësh, këllëfësh, jastëkësh, etj. Nëse shikon këtë shifër stratosferike, mendon se të gjitha këto do të lahen disa herë në ditë. Por nëse shikon të dhënat e tenderit, mëson se frekuenca e larjes në fakt për këllëfët e dyshekut të gomuar do të jetë 1 herë në muaj, për jastëkët 1 herë në 6 muaj, për këllëfë jastëku 102 herë në vit, për çarçafët e shtratit (të poshtëm) 102 herë në vit e kështu me rradhë.

Me pak fjalë këto para do të merren qyl. E në fakt fitues “qyl” është shpallur “SANITARY CLEANING” Shpk me administrator Fatos Deliu dhe pronarë Servizi Italia dhe Berinv B.V. Sipas të dhënave publike rezulton se “SANITARY CLEANING” Shpk ka fituar në dy vitet e fundit rreth 100 mijë euro tender.

Në tender rezulton se kanë marrë pjesë 5 kompani, nga të cilat 2 nuk kanë ofruar fare vlerë ekonomike. Ky fakt të lë të dyshosh se këto kompani kanë marrë pjesë sa për numër në tender pasi nuk ka asnjë logjikë ekonomike të marrësh pjesë në një tender dhe të mos japësh ofertë.