Një skandal i vërtetë është rasti të cilin po ju paraqesim ditën e sotme. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpenzuar plot 700 milionë lekë të vjetra për të blerë vezë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Loti 5 “Blerje vezë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”, me procedurë të hapur, mbi kufirin e lartë monetar.
Nuk di se si ta rrotullosh e çfarë të thuash më parë në këtë skandal. A ta nisësh nga shifra stratosferike? Nga fituesi? Apo nga mënyra e organizimit të tenderit? Është vërtetë e pabesueshme dhe qesharake se si mund të shpenzohen rreth 700 milionë lekë të vjetra me TVSH për të blerë vezë për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Nga ana tjetër mënyra e shpalljes së fituesit është një gallatë më vetë ku tregohet qartësisht se tenderi është kryekëput i manipuluar. Kështu në këtë garë kanë marrë pjesë katër kompani ku vetëm njëra prej tyre ka ofruar vlerë ndërsa tre të tjerat kanë marrë pjesë thjesht si kukulla, pasi kanë ofruar vlerën zero. Kjo është një skemë tipike kur përdoren kompani të tjera sa për numër të cilat nuk ofrojnë asnjë vlerë ekonomike në mënyrë që fitues të shpallet kompania e paracaktuar.
Le të dalim tani tek fituesi, që është shpallur kompania “Dajti Park 2007” SHPK me administrator Desart Kalaja dhe pronarë “me letra” Desart Kalaja dhe Lulzim Qefalia. Ky i fundit është vëllai i Kujtim Qefalisë i cili ka qenë ish-kryekomunar dhe sot administrator i njësisë Dajt dhe gjithashtu vëllai i ish-deputetit socialist Xhemal Qefalia. “De facto” këto dy persona mendohet të jenë edhe pronarët e vërtetë të kësaj kompanie.