JOQ Albania
Home

Koronavirusi në Itali/ Vijon të ulet numri i vdekjeve ditore, shërohen edhe 2160 pacientë të tjerë
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22/05/2020 18:44

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Bilanci i viktimave ditore nga koronavirusi në Itali vijon të mbetet nën shifrën 200 prej më shumë se një jave. Ditën e sotme është vënë re një ulje e numrit të vdekjeve në krahasim me një ditë më parë.

Mbrojtja Civile konfirmoi se gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 130 persona nga koronavirusi, ndërsa dje u raportuan 156 jetë të humbura.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Itali ka arritur këtë të premte në 32,616.

Sipas të dhënave zyrtare, numri total i të infektuarve nga koronavirusi, përfshirë edhe ata që janë shëruar dhe viktimat, ka arritur në 228,658.

Nga shpërthimi i epidemisë e deri më tani, 136,720 pacientë janë shëruar plotësisht nga koronavirusi, ndërkohë që 595 të tjerë ndodhen në gjendje kritike për jetën, në terapi intensive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 2160 pacientë të prekur nga koronavirusi, ndërkohë që rastet aktive vijojnë të ulen prej më shumë se një muaji, duke zbritur në 59,322.

Sipas shifrave zyrtare, këtë premte janë konfirmuar edhe 652 raste të reja, ndërsa dje u raportuan 642 raste të reja.

Gjithsej, në Itali janë kryer gjithsej mbi 3.3 milion teste. Kujtojmë këtu që e premtja e 27 marsit ishte dita më vdekjeprurëse e pandemisë në shtetin fqinj, ku u shënuan 969 viktima në 24 orë.

Sa i përket numrit të viktimave, Italia është vendi i tretë më i goditur nga koronavirusi, pas SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa sa i përket rasteve të konfirmuara, shteti fqinj është vendi i gjashtë në botë më i goditur nga Covid-19.

Burimi: La Republicca|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania