JOQ Albania
Home

Laert Duraj i Postës Shqiptare “i fal” 873 milionë lekë motrës së Vilma Nushit për shtypshkrime
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12/05/2020 23:31

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shumë shqiptarë ende nuk kanë marrë pagën e luftës. Ata që kanë patur fatin e mirë që punët e tyre të kenë qenë të hapura gjatë pandemisë së COVID-19, nuk e kanë marrë pagën e plotë apo kanë patur ulje. Ndërkaq një pjesë tjetër e konsiderueshme kanë mbetur njëkohësisht edhe pa punë, edhe pa pagë lufte.

Por kjo nuk është pengesë që xhepat e miliarderëve të vazhdojnë të mbushen përsëri me paratë e taksave të shqiptarëve. Besoj e njihni Laertin e Postës Shqiptare? Sigurisht që po, pasi tenderat e dhënë prej tij në favor të të përkëdhelurve të qeverisë kanë qenë të shumta. Pikërisht në kohë pandemie, Laerti gjen kohë dhe i jep plot 873 milionë lekë të vjetra me TVSH kompanisë “Interlogistic” sh.p.k.

Dikush mund të mendojë se me kaq shumë para, zarfat apo pakot postare tashmë mund të shkojnë e të vijnë me anije kozmike nga dërguesi tek marrësi. Epo, jo tamam në fakt. Këto 873 milionë lekë do të përdoren për shtypshkrime. Po, po, për shtypshkrime. Dhe këto shtypshkrime me sa duket nuk mund t’i bëjë askush tjetër veçse kompania “Interlogistic” sh.p.k. me administrator dhe pronar Edmond Hido, bashkëshortin e Majlinda Hidos, e cila është gjithashtu motra e Vilma Nushit.

Nga të dhënat publike rezulton se pronare e kësaj shoqërie dhe gjithashtu admnistratore ka qenë pikërisht Majlinda Hido deri më datë 10.12.2015, datë në të cilën pronësia i ka kaluar bashkëshortit të saj. Kontrata mes Postës Shqiptare dhe kompanisë “Interlogistic” sh.p.k. është bërë në datë 29.04.2020 dhe ka numër reference REF -25045-05-31-2019. Në këtë mënyrë s’na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë që t’i hanë me shëndet taksat tona!