JOQ Albania
Home

Ardian Çela i OSHEE bën “rrush e kumbulla” 132 milionë lekë tek shefi i departamentit të Spitalit Hygeia
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08/05/2020 23:41

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nuk kanë fund shpërdorimet e parave publike me sebepin e luftës ndaj COVID-19. Kësaj rradhe i takon Ardian Çelës së OSHEE që të bëjë rrush e kumbulla plot 132 milionë lekë të vjetra me TVSH për blerje maskash.

Kështu në bazë të tenderit me numër reference REF-56885-04-27-2020, OSHEE do të shpenzojë gjithë këtë shumë për të blerë jo pak por 140 mijë maska njëpërdorimshe.

Kontrata mes OSHEE dhe shoqërisë fituese është lidhur vetëm 3 ditë më parë, përkatësisht në datë 05.05.2020. Nuk dihet se kush do të përdorë këtë numër jashtëzakonisht të madh prej 140 mijë maskash, aq më tepër në një kohë kur masat lehtësuese sa po vijnë e po shtohen. Pa përmendur këtu faktin që mund të përdoreshin maska shumë-përdorimshe të cilat lahen dhe përdoren përsëri.

Habia qëndron gjithashtu edhe tek fituesi, përkatësisht shoqëria OrthoNet 360 shpk me seli në Tiranë. Rezulton se administratorja e kësaj kompanie është një vajzë 25-vjeçare me emrin Kira Cami.

Kur pamë këto të dhëna diçka filloi të mbante erë, dhe sigurisht nuk ishte gjella mbi sobë, por fakti se si ka mundësi që një vajzë vetëm 25 vjeç të fitojë një tender me këtë vlerë kaq të lartë nga OSHEE, për më tepër që tenderi është realizuar me një procedurë me negocim, pa njoftim. Pra i bie që Ardian Çela ka negociuar direkt me këtë vajzë.

Por nëse hulumton tek të dhënat publike shikon se në fakt administratorja e shoqërisë, në datë 12.08.2017 ka emëruar me një prokurë të përgjithsme babain e saj si përfaqësues të përgjithshëm të kompanisë. Del se babai i administratores është doktori Ergys Cami, mjek ortoped dhe njëkohësisht shef departamenti në spitalin Hygeia.

Pra në fakt Ardian Cela i ka dhënë 132 milionë lekë për blerje maskash shefit të departamentit të një spitali privat. Nga faqja në internet e këtij spitali rezulton se Ergys Cami punon ende aty. Nga të dhënat publike, rezulton se kompania OrthoNet 360 shpk vetëm vitin e fundit ka fituar jo pak por gati 270 milionë lekë të vjetra tendera.