JOQ Albania
Home

Të burgosurit marrin ushqime nga shtëpia, Drejtoria e Burgjeve blen 540 milion lekë mish viçi
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04/05/2020 23:05

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një tender mjaft i dyshimtë është publikuar ditën e sotme. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka blerë mish viçi për të burgosurit në një vlerë marramendase prej rreth 540 milionë lekësh të vjetra me TVSH.

Kështu ditën e sotme është publikuar tenderi me objekt “Blerje Mish për nevoja emergjente të DPB, për të dënuarit në IEVP-të” me fond limit 45,147,387 lekë pa TVSH, me një procedurë me negocim, pa njoftim. Fituesi është shpallur Olta Sharra me NIPT L32517203Q, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit si Person Fizik.

Nëse i hedhim një sy të dhënave publike të fituesit, shohim se Olta Sharra ka fituar për periudhën 2014-2020 shifrën e pabesueshme prej mbi 6 milionë euro. Është një mister se si një individ me formë ligjore Person Fzik (pra jo SH.P.K. apo SH.A.) të ketë fituar nga shteti shqiptar mbi 6 milionë euro.

Nga ana tjetër, përsëri është e pakuptueshme se si është e mundur të shpenzohen mbi 540 milionë lekë për mish viçi në një kohë që në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend janë familjarët ato që përgjithësisht u dërgojnë gjithmonë trasta me ushqime familjarëve të tyre që po vuajnë dënimin.