JOQ Albania
Home

Bashkia Tiranë harxhon 140 milion lekë për pastrim WC dhe sapun lëng
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19/04/2020 22:57

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Është bërë e modës tashmë që të gjithë të abuzojnë me tenderat publikë. Lopa me sa duket ka shumë qumësht dhe rradha për ta mjelë është e gjatë.

Në rastin konkret, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike Tiranë, në varësi të Bashkisë Tiranë, nëpërmjet një procedure me negocim, pa njoftim, i ka dhënë plot 140 milion lekë të vjetra me TVSH shoqërisë PASTRIME SILVIO.

Tenderi me numër reference REF—55848-04-07-2020, është hapur në datë 08.04.2020 dhe është mbyllur në datë 14.04.2020. Fituesi është shpallur në datë 16.04.2020.

Nga të dhënat e disponueshme publikisht, shikohet se gjithë këto para do të përdoren për blerje materiale higjeno-sanitare.

Po çfarë materialesh janë do të thoni ju? As më shumë e as më pak por detergjentë për pastrim WC, sapun lëng, solucion larës për pllaka dyshemeje, detergjent për mobilje dhe detergjent për sipërfaqe të ndryshme.

Nëse sheh specifikat e tenderit shikon se sasitë e kërkuara janë në nivele të larta. Kështu përshembull, janë kërkuar 5,868 litra detergjent për pastrim WC, 20,000 litra solucion larës për pllaka dyshemeje, apo 19,600 litra sapun lëng.

Të gjitha këto materiale me sasi kaq të mëdha duhet të ishin gati brenda 10 ditëve, çka të bën të mendosh se gjithçka është parapërgatitur paraprakisht, pasi asnjë lloj biznesi nuk mund të sigurojë këto sasi në një kohë kaq të shkurtër.

Nga ana tjetër, nëse bën me përafërsi një analizë kosto me çmimet e tregut të pakicës, vlera e mallit rezulton të paktën 40 milionë lekë më pak.

Kështu siç mund ta shikoni në tabelën më sipër, kemi vendosur me përafërsi çmimet me TVSH të tregut të pakicës përbri sasive të kërkuara dhe del se vlera e mallit shkon diku te 104 milionë lekë të vjetra, në një kohë që vlera e tenderit është gati 140 milion lekë të vjetra.

Pra në rastin më të mirë 40 milionë lekë ikin në drejtim të paditur, pa përmendur faktin që çmimet e marra si shembull janë çmime pakice dhe jo shumice.

Sidoqoftë, përtej milionave, rëndësi ka që WC-tw e lali Erit do të jenë xixë. Shpresojmë.