JOQ Albania
Home

Mondi s’ngopet me Lekë! Union Bank lakun në fyt shqiptarëve, nxjerr blof Tigrin
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16/04/2020 18:08

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Prej disa javësh në mënyrë të vazhdueshme, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur denoncime të shumta në lidhje me "zhvatjen deri në qindarkën e fundit", që po u bëhet shqiptarëve në këto ditë koronavirusi, nga kompani që janë në pronësi të oligarkëve pranë qeverisë të cilët po fryjnë frikshëm milionat këtë periudhë në kurriz të qytetarëve.

Një nga ndërmarrjet e mëdha që ka thyer "rekorde të zeza" për zhvatjen e qytetarëve shqiptarë në këto ditë është edhe Union Group, ku bëjnë disa kompani mes tyre edhe Union Net përfaqësuesi i kompanisë "mëmë" Western Union në Shqipëri dhe Union Bank, në pronësi të oligarkut Edmond Leka dhe vëllait të tij, Niko Leka.

Pasi qytetarët denoncuan rrjepjen që Union Net po u bënte përmes komisioneve të "çmendura" për dërgesat e parave brenda dhe jashtë vendit, duke përfituar në mënyrë absurde nga rritja e nevojës për shkëmbime financiare gjatë këtyre ditëve, duket se e njëjta skemë po përdoret edhe për Union Bank, e cila ushtron aktivitetin e saj bankar që prej vitit 2006 në Shqipëri.

Në lidhje me Union Bank, një qytetar ka dërguar një mesazh në redaksinë e JOQ Albania ku denoncon faktin se banka në fjalë i ka kërkuar 12 mijë lekë për hapjen e llogarisë bankare për të përfituar nga skema financiare prej 260 mijë lekësh pas krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Qytetari thotë se në bankën në fjalë e njoftuan se shuma NETO që do të marrë 248 mijë lekë.

Mirëpo, kjo gjë bie në kundërshtim të plotë me deklaratën e pak ditëve më parë të Ministrit të Rindërtimit, Tigrit jo vetëm të Financave por tashmë të Koronavirusit, Arben Ahmetaj, i cili deklaroi në emisionin "Opinion" se qytetarët do ta përfitojnë të plotë pagesën 260 mijë lekë të vjetra dhe nuk do i mbahet asnjë lloj pagese apo komisioni.

Fevziu i tregoi Ahmetajt rastin e një qytetari, i cili kishte shkuar në një bankë për të hapur një numër llogarie, por në sportelin e institucionit financiar i kishin kërkuar 12 mijë lekë të vjetra, ose thënë ndryshe 5% e të ardhurave që qeveria ka premtuar se do japë.

Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, Ahmetaj e ka mohuar disa herë një gjë të tillë, duke thënë me me 'siguri të plotë' se "kjo llogari do shkojë 260 mijë lekë do jetë në NETO".

Ahmetaj deklaroi pak ditë më parë se do të zhvillohej një takim me sistemin bankar, ku kjo do të ishte një nga pikat e diskutimit.

Por, mesa duket, në mbledhjen e zhvilluar paska pasur edhe përjashtime, pasi Union Bank po "shkel" me të dyja këmbët vendimin e qeverisë, duke u 'ngrënë' qytetarëve shqiptarë edhe nga ato pak lekë që qeveria ka vënë në dispozicion për ta.

Nuk dihet nëse ka qenë vetë qeveria që i ka dhënë autorizimin Union Bank që të vazhdojë t'u kërkojë para për hapjen e llogarive bankare përfituesve të paketës ekonomike, apo thjesht kjo bankë i bën vetë ligjet e saj, pasi askush nuk mund ta cënojë, për më tepër që pronari i saj është mik i "Rilindjes" dhe s'mund të ndodhte ndryshe.

Denoncimi:

Prsh joq! Shkova per te hapur nje llogari bankare te banka "union bank" dhe me njoftuan se do te marr neto 248 mije lek te vjetra dhe jo 260 mije pasi 12 mije duhet per hapjen e llogarise bankare. Por ministi Ahmetaj ka thene qe nuk duhet paguar. Tani cte bej ta paguaj apo jo? Anonim ju lutem"

Por ky nuk është rasti i vetëm që Union Bank dhe Union Net, përmes komisioneve të saj po abuzon në mënyrë të frikshme me paratë e shqiptarëve.

Në vend që të ofronte lehtësira për transfertat e parave për shqiptarët, kompania në fjalë e ka vendosur përfundimisht që t'i rrjepë klientët e saj deri në qindarkën e fundit, për të fryrë milionat e oligarkut Edmond Leka.