JOQ Albania
Home

Koronavirusi/ Ardian Çela i OSHEE le pa drita shqiptarët në karantinë
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25/03/2020 22:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Prej më shumë se dy javësh, i gjithë vendi është vendosur në karantinë për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Qëndrimi në shtëpi është konsideruar nga të gjithë ekspertët si mënyra më e mirë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të Covid-19.

Mirëpo, një tjetër problem ka dalë në pah gjatë ditëve të fundit në kryeqytet, i cili ka të bërë me personazhin e njohur të "botës së tenderave", Ardian Çelën, i cili prej pak orësh është rikthyer sërish në detyrë, si drejtror i OSHEE-së.

Rikthimi i tij në detyrë ka krijuar një situatë kaotike në Tiranë, ku shumë zona kanë mbetur pa energji elektrike, duke vështirësuar akoma më tej situatën e qytetarëve në këto ditë karantinimi.

Kanë qenë qytetarë të shumtë në zona të ndryshme të Tiranës, të cilët kanë shkruar në redaksinë e JOQ Albania, duke ndarë këtë problem.

Sipas tyre, energjia elektrike është shkëputur disa herë, ndërkohë që OSHEE nuk ka bërë asnjë lajmërim në lidhje me këto ndërprerje, të cilat prej mbrëmjes së djeshme janë bërë të shpeshta.

E gjithë kjo situatë ka ndodhur fill pas rikthimit në në krye të OSHEE-së të Ardian Çelës, njeriut i cili i dha 450 milion lekë kompanisë "Nazeri 2000", së cilës i vodhën milionat në super-grabitjen që ndodhi prillin e vitit të kaluar në aeroportin e Rinasit, ku banda e hajdutëve arritën të merrnin më shumë se 5 milion dollarë.

Përveç kësaj, Çela është emër i njohur edhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku është akuzuar për shpërdorimin e fondeve publike, si dhe mashtrime për investimet në energjitikë.

Vlen të theksohet gjithashtu që OSHEE-ja e mbylli vitin e kaluar me plot 64 milion euro humbje.

Ndonëse janë investuar miliona euro nga buxheti i shtetit për ndërtimin e një rrjeti të ri, qytetarët vijojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike, e cila është një domosdoshmëri për jetën e gjithkujt, veçanërisht në këto ditë karantinimi.

Kjo situatë na rikthen edhe një herë pas në kohë, në fillimet e viteve 2000, kur energjia elektrike ndërpritej çdo ditë, pa orare të caktuara.

OSHEE është një nga institucionet kryesore që sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit dhe xhepat e pushtetarëve, gjë e cila duket se ka bërë që Çela të marrë sërish situatën në dorë, pas zbrasje së arkës së shtetit.