JOQ Albania
Home

Foto e dokumenta/ Luksi i “Lalit”, ja ku do të shkojnë 5 mln dollarë të Ujësjellësit të Tiranës
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 16/02/2020 18:13

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka dalë “shëtitje” nëpër Europë për të shtrirë dorën për 1 miliard euro të cilat, sipas tij, nevojitet për rimëkëmbjen e pasojave të tërmetit, Bashkia e Tiranës duket e vendosur të mos tërhiqet nga shpenzimi për ndërtimin e godinës së re të Ujësjellësit të kryeqytetit.

Projekti për godinën e re dhe luksoze vjen në një kohë kur Bashkia e Tiranës, prej vitesh, ka dështuar në furnizimin normal të kryeqytetit me ujë, i cili konsiderohet “i pijshëm”, pavarësisht se asnjë qytetar në kryeqytet nuk e përdor për ta pirë.

boldnews ka raportuar më parë për tenderin e hapur nga ndërmarrja e Ujësjellësit Tiranë, me vlerë mbi 4 miliardë lekë të vjetra pa TVSH, rreth 5 milionë euro.

Redaksia ka siguruar edhe projektin për godinën shumë-katëshe, e cila, duket qartësisht se përshkohet nga një luks i tepruar, për një vend dhe bashki me financa të kufizuara.

Sipas projektit të porositur nga Ujësjellësi i Tiranës, një ndërmarrje në varësinë direkte të kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe i hartuar nga një zyrë private, ndërtesa e re do të ketë një sipërfaqe gjigande prej 6750 m2 për zyra.

Godina e re e Ujësjellësit do të ketë edhe një parkim nëntokësor, gjithashtu të stërmadh, me një sipërfaqe prej 1000 m2.

Gjithësesi, ajo që bie në sy në projekt, është “shkëlqimi” i luksit, shumë i tepruar për një godinë institucioni publik, i cili financohet nga taksat e qytetarëve dhe tarifat e rritura ndjeshëm në faturat e ujit për kryeqytetasit.

Projekti, në mënyrë indirekte, zbulon edhe organikën e fryrë të ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës.

Duke shpjeguar detajet për zyrat, në projekt thuhet se godina e re do të akomodojë një staf vetëm administrative, prej 200 personash, por që mund të rritet edhe me 40 të tjerë.

Nga ky total stafi administrativ, në të cilin natyrisht nuk përfshihen punonjësit e terrenit, do të krijohen zyra, ndër të tjera, për 10 drejtorë departamentesh dhe një zyrë të fryrë prej 6 personash për Marrëdhëniet me Publikun.

Duket se edhe Ujësjellësi i Tiranës, nën gjurmët e kryebashkiakut Erion Veliaj, tregon një kujdes shumë të tepruar për publicitetin propagandistues institucional.

Godina e re, sipas projektit, pritet të ndërtohet në një zonë pranë Gjykatës Speciale (ish-Gjykatës për Krime të Rënda), në një truall 2260 m2.

Tenderi për ndërtimin e godinës së re të Ujësjellësit është hapur në datë 27 Nëntor 2019, pra një ditë pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit, i cili shkaktoi dëme të rënda në shumë struktura në qytetin e Tiranës.

Sipas të dhënave zyrtare, tenderi ishte parashikuar të mbyllej në datë 27 Dhjetor 2019. Deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për rezultatet e këtij tenderi, megjithëse nuk ka asnjë njoftim publik se cili është fituesi që do të ndërtojë ambjentet e luksit për Ujësjellësin e Tiranës.