JOQ Albania
Home

37-vjeçari kapet me drogë në hotel me dy binjake, njëra “e do” tjetra e akuzon për pengmarrje
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 16/02/2020 18:06

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një 37-vjeçar i identifikuar si Tedi B. i cili është arrestuar në Tiranë, po pretendon se është viktimë e xhelozisë së motrës binjake të së dashurës së tij 19-vjeçare Ana, por ky qëndrim nuk e ka bindur gjykatën, e cila refuzoi kërkesën për ta liruar.

Sipas autoriteteve, 37-vjeçari ka mbajtur me forcë në hotel edhe motrën e dytë binjake, Tea, e cila po përpiqej të largonte prej tij binjaken e dashuruar duke e kundërshtuar lidhjen e tyre për shkak të moshës së madhe.

Në dhomën e hotelit është gjetur edhe lëndë narkotike, së bashku me lugë të nxira në pjesën e poshtme.

Vajzat binjake janë të moshës 19 vjeç, ndërsa i arrestuari i moshës 37 vjeç.

Policia pretendon se në hotel mbrëmjen kur ndodhi kjo histori i akuzuari mund të ketë konsumuar drogë bashkë me binjaket dhe një femër të tretë por ky version nuk është provuar.

Sipas dëshmive edhe prej filmimeve nga kamerat e hotelit  Tedi B. ka qenë në dhomë edhe me një femër të tretë e cila është larguar para se të mbërrinte policia.

Sipas informacioneve që Gazeta “Si” disponon 37-vjeçari po mbahet në paraburgim për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë”, në dëm të njërës prej binjakeve e quajtur Tea e cila është bërë edhe shkak për ndalimin e tij pas një kallëzimi në polici.

Siç rezulton në materialet hetimore të poseduara edhe nga Gazeta “Si”, Tea dhe Ana, janë motra binjake dhe jetojnë me gjyshërit në Tiranë, pasi prindërit u divorcuan. Babai, sipas dosjes që është referuar në Prokurori, përfundoi në burg, ndërsa e ëma u largua nga kryeqyteti dhe jeton në Britaninë e Madhe.

Në dhjetor 2019, Tea ka kallëzuar në polici 37-vjeçarin, që sipas saj ajo e kishte njohur nëpërmjet të atit, i cili e kishte shok.

Deklarata e Teas në polici:

Pas disa kohësh kuptova që Ana kishte ndjenja për këtë person dhe nga muaji tetor-nëntor 2019 e pyeta Anën për historinë duke i kujtuar se Tedi ishte në moshë të madhe dhe ajo është e mitur. Ka pasur raste kur Tedi vinte me taksi, e takonte dhe ikte. Rasti i fundit ndodhi më 11 dhjetor 2019, rreth orës gjashtë ku mësova se motra Ana ishte takuar me Tedin dhe kishte shkuar në një hotel përballë shkollës “Qemal Stafa”. Shkova në dhomë dhe aty gjeta Tedin me motrën dhe një femër tjetër që nuk e njoh. Femra tjetër doli shpejt nga dhoma. I thashë motrës të kthehej në shtëpi, por ajo nuk donte. Po kështu edhe Tedi shtoi se ajo nuk do vinte me mua”.

Vajza më tej i ka treguar policisë se ka tentuar ta largojë motrën nga hoteli, por  është dhunuar nga 37-vjeçari:

Më goditi me shkelma në trup dhe fytyrë. Kam shenja në fytyrë, kokë dhe krah. Nuk më la të dilja nga dhoma, qëndrova në hotel bashkë me ta dhe në orën pesë të mëngjesit, në një moment kur Tedi doli nga dhoma, u largova nga hoteli dhe shkova në burg për të lënë takim me babain. U ktheva sërisht në dhomë për të marrë motrën në hotel, por ajo nuk pranoi. Në orën tetë të mëngjesit u ktheva sërisht në burgun 302, për të takuar babain dhe ai më tha të vija në polici e të bëja kallëzim”.

Menjëherë pas kësaj, policia ka marrë në pyetje motrën binjake, Anën, e cila e ka përshkruar binjaken tjetër si imponuese dhe urdhëruese. Binjakja pranon konfliktin, por e përshkruan si një incident xhelozie. Sipas saj, e motra e urdhëronte dhe kërkonte që të ndahej prej tij:

Unë kam kryer marrëdhënie me Tedin me dëshirën time, ditën që ndodhi problemi. Tedi u nxeh me të dhe madje i theu edhe syzet, për të cilat më pas i tha se do t’ia paguante. Edhe për dhunën e ushtruar ndaj motrës tek Blloku i Ambasadave, Tedi ka reaguar në këtë formë për të më mbrojtur. Ai e shtyu dhe motra u rrëzua në tokë, aty u bë sherr dhe Tedi e goditi Anën pa dashje me telefon në fytyrë”.

Tedi B. ka treguar versionin e tij duke pranuar se ishte i lidhur me vajzën e quajtur Ana, ndërsa me binjaken tjetër kishte lidhje shoqërore:

Fillimisht jam njohur me Tean, me të cilën kam pasur shoqëri. Por ajo kishte ndjenja ndaj meje. Më pas u njoha me të motrën, me të cilën kam lidhje dashurie. Kam marrë në telefon Tean, të cilës i kam thënë se i kam gjetur një shtëpi me qera pranë Prokurorisë së Tiranës, por ajo nuk e mori pasi pronarja nuk pranoi. Më pas i sygjerova se mund të qëndronin në hotelin E.., përballë “Qemal Stafës” derisa të gjenim një banesë tjetër me qera. Ne qëndruam gjithë natën bashkë edhe me një vajzë të tjerë. Po hanim pica, kur në një moment Tea u bë nervoze, më gjuajti me picë. Mendoj që ajo e bëri të gjithë këtë, për shkak të xhelozisë pasi unë jam i lidhur me të motrën Anën”.

Sipas dëshmisë së policisë dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe e dhomës ku kanë qëndruar tre vajzat dhe i dyshuari, u gjetën kartmonedha të grisura të prerjes 50 euro, dy lugë metalike me mbetje në ngjyrë të bardhe dhe të nxira në pjesën e poshtme si dhe një bombul gazi, si edhe pije Redbull.

37-vjeçari ka pranuar që ai vetë kishte konsumuar drogë, por jo vajzat që gjendeshin me të. Siç thuhet në dosjen që Gazeta “Si” disponon, në funksion të këtij procedimi sendet e gjetura së bashku me pamjet filmike të hotelit janë dërguar për këqyrje dhe ekspertim kimik, pas dyshimeve se në dhomë është përdorur drogë.

Po çfarë thotë Tea:

Kallëzimin e dorëzova pasi mora mendimin e babait. Tedi më mbajti edhe mua në dhomën 203 duke ushtruar dhunë fizike deri në mëngjes. Nuk kam parë drogë në dhomë”.

Të njëjtën gjë për përdorimin e drogës ka pohuar edhe motra binjake. Dëshmitë dhe materialet lidhur me këtë ngjarje tani i kanë kaluar Porkurorisë dhe po hetohet më tej për ta zbardhur plotësisht atë dhe për të qartësuar shkakun e konfliktit të njërës prej binjakeve me 37-vjeçarin.