JOQ Albania
Home

Ministria e Shëndetësisë harxhon miliarda lekë në tendera, shërbimi nëpër spitale ku thërret qameti
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 16/02/2020 13:01

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Edhe pse në fushën e  Shëndetësisë vazhdojnë të hidhen miliardë lekë, në spitalet e të gjithë vendit kushtet dhe shërbimi në to, lë shumë për të dëshiruar.

Por kjo gjë nuk e ka ndaluar aspak Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të vazhdojë të shpallë tendera me shifra stratosferike, paçka se shifrat nuk akordojnë më atë çfarë shërbehet nëpër ambientet spitalore.

Oreksi vjen dukë ngrënë” thotë një fjalë e urtë popullore, kështu ka ndodhur edhe me këtë dikaster, pasi shifrat monetare të tenderave vazhdojnë të kenë një rritje progresive.

Tenderi i fundit i shpallur nga Ministria e Shëndetësisë e kalon kufirin e lartë monetar. Por kjo nuk është hera e parë që tenderat e kësaj ministrie ta kalojnë kufirin e lartë monetar.

Tenderi me objekt “Blerje barna Anti-infektive të përgjithshëm, Anestezi Reanimacion, Antituberkulare, Antineoplastike dhe immunomodulatore, antiparazitare, dermatologjike, hormonale sistemike, hormonet seksuale, Gjaku dhe organet formuese te gjakut dhe Sistemi Respirato”, fondi i tij limit është 61 miliard lekë. Fituesit do t’i kryejnë këto shërbime për 24 muaj, ndërsa është i ndarë në 121 lote.

Një fakt që bie në sy është se nga Agjencia e Prokurimit Publik nuk janë bërë publike dokumentat e tenderit, kjo gjë ndodhte edhe me një tender tjetër me shifra stratosferike e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, ku APP-ja nuk jepte informacion.

Ndërsa të vetmet informacione që jepen për këtë tender gjenden në Buletinin e Njoftimeve Publike.  Një gjë është e sigurt se këto para nuk do të shkojnë në duart e një biznesmeni, pasi një nga specifikimet teknike është që duhet të jenë dy ose më shumë kompani të bëra bashkë.

Një fakt shumë interesant është se dy tenderat e fundit që kanë të bëjnë me shërbimet e produkteve mjekësore në total kapin shifrat e çmendura prej 116 miliardë lekësh.

Por a përputhen këto shifra të çmendura me realitetin e vërtetë dhe të hidhur që gjendet nëpër ambientet spitalore në të gjithë vendin.

Apo “Rilindja” po zbaton thënien e famshme të Eduard Shalsit, që “nuk do vjedhim në mënyrë kaq flagrante”. Pasi po vjedhin në një mënyrë  të ndryshme nga opozita dhe madje më të hapur se qeveria paraardhëse.