Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vazhdon të mbajë rekordin si institucioni që bën shpalljen e tenderave me shifra miliarda lekësh.
Nëse para disa ditësh shpalli një tender prej 20 miliard lekësh për blerjen e ilaçeve, tani ka shpallur një tender me pothuajse trefishin e të mëparshmit.
Tenderi me objekt “Blerje barna Gjaku dhe organet formuese të gjakut, Lënde kontrasti për CT, Lëndë Kontrasti gastrointestinale, Lëndë kontrasti për MRI, Metabolizmi dhe trakti tretës, Organet e shqisave, Psikiatrik, Sistemi kardiovaskular, Sistemi muskolo-skeletik dhe Sistemi nervor”. Fondi limit i tij është plot 55 miliardë lekë, çka kalon edhe kufirin e lartë monetar.
Ky tender është i ndarë në 124 lote dhe kompanitë fituese të këtij tenderi do i kryejnë këto shërbime për 24 muaj. Por ajo çfarë bie në sy është fakti se nga Agjencia e Prokurimit Publik nuk janë publikuar specifikimet e tenderit.
Të vetmet informacione që jepen për këtë tender janë në Buletinin e Njoftimeve Publike të APP-së.
Këto blerje do i shpërndahen të gjitha spitaleve në vend. Por spitali që do të ketë më shumë buxhet për të blerë këto Produkte të gjakut, Produkte mjekësore për gjakun dhe organet e formimit të gjakut dhe sistemin kardiovaskular, Produkte mjekësore për gjakun dhe organet e formimit të gjakut dhe Produkte medicinale për dermatologji dhe sistemi muskulo-skeletor do të jetë Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”.
Plot 40 miliardë lekë do të këtë në dispozicion QSUT, ndërsa spitali më buxhetin më të vogël do të jetë Spitali i Peqinit me një fond prej 12 milionë lekësh.
Një gjë është e sigurt, që ky tender nuk do të shkojë vetëm në duart e një personi pasi një nga kushtet për fituesit është që duhet të jenë dy ose më shumë kompani të bëra bashkë për të fituar këtë tender me shifra stratosferike. Fituesi i këtij tenderi do të shpallet në fund të marsit.
Premtimi i madh për një “ Shëndetësi Falas”, po u kushton shqiptarëve miliarda lekë, por shërbimi falas akoma duket një ëndërr në sirtar për ta.
Karvani për shëndetësinë falas po ecen me shpejtësi vetëm nga ana financiare, pasi për ofrimin e kushteve do duhet shumë punë, edhe pse shqiptarëve vazhdohet t’iu vilen taksat për t’i marrë ato shërbime falas, këto shërbime po iu kushtojnë “sa frëngu pulën”. JOQ ALBANIA