JOQ Albania
Home

Vrasja e Jan Prengës, flet gruaja e Altin Hajrit: Kompleksin ‘Golden’ e menaxhon vjehrra, nuk e di ku është burri im
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 13/02/2020 19:08

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vijon ende të mbetet mister marrja peng dhe më pas vrasja e Jan Prengës më 17 janar në mes të Kamzës. Së fundmi, bashkëshortja e Altin Hajrit, njërit prej të akuzuarve i cili ndodhet në arrati, tregon se nuk paska asnjë informacion për rutinën e burrit të saj.

Ajo shprehet se po rrit 3 fëmijët e mitur, ku jeton vetëm me ta në shtëpinë në Pjezë pasi i shoqi ka qenë në Holandë i burgosur.

Madje, ajo nuk ka dijeni as për makinën ‘Mercedes Benz”, se në emër të kujt është regjistruar. Bashkëshortja e Altin Hajrit theksoi se makinën e përdorte ajo pasi ia kishte blerë i shoqi prej më shumë se 4 vitesh.

Gruaja u shpreh:

Jam e martuar me shtetasin Altin Hajri, në fshatin Pjezë, Shijak. Unë kam 3 fëmijë të mitur që aktualisht i kam në shtëpi. Kur Altini nuk është, unë jetoj vetëm me fëmijët e mi në shtëpinë në Pjezë. Altini ka ardhur në shtëpi më datë 30.12.2019 pasi ka qenë në burg në Holandë prej dy vitesh. Kur ai është kthyer në shtëpi ka biseduar vetëm për fëmijët. Unë nuk i kam numër telefoni Altinit. Ai ka qenë në shtëpi para dy ose tri ditësh dhe kur ka ardhur ka folur vetëm me fëmijët. Me mua ka komunikuar vetëm për fëmijët. Unë nuk e di fare se ku është Altini aktualisht. Unë nuk e di që Altini të ketë automjet. Automjetin ‘Mercedes Benz” e kam unë në përdorim dhe atë ma ka blerë mua Altini prej më shumë se 4 vitesh. Unë nuk e di se në emër të kujt është regjistruar.

Më tej, ajo thotë se nuk ka dijeni se kush e ka kompleksin 'Golden'.

V. Hajri vijoi:

Për makinën tjetër nuk di ç’të them, pasi nuk e di se kujt i përket dhe kush e ka sjellë aty. Kompleksin ‘Golden’ unë nuk e di se kush e ka, por me menaxhimin e tij merret vjehrra ime. Gjithashtu tek kompleksi ka një menaxher që administron punët që quhet Olsi Turja. Unë nuk ka asnjë dijeni se sa kohë ka Olsi që punon atje. Të ardhurat dhe të mirat materiale që burojnë nga kompleksi ‘Golden’ administrohen dhe merren nga familja e Altinit, vëllezërit dhe prindërit e tij. Gjithashtu një pjesë edhe nga fëmijët e mi. Unë nuk kam numër telefoni. Unë nuk shkoj te kompleksi. Unë di se Altini merret me biznes por se çfarë konkretisht nuk e di, s’kam asnjë dijeni se me cilët persona shoqërohet Altini. Nuk kam vënë re ndonjë problem te Altini