JOQ Albania
Home

Në vendet e parapara për tre administratorë shqiptarë, janë pranuar tre maqedonas
Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 13/02/2020 15:09

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vazhdon punësimi i maqedonasve në vende pune, ku sipas konkursit kërkohen shqiptarë. Së fundmi për këtë fenomen ka reaguar deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli. Reagimi i deputetit:

Me 27 dhjetor 2019 Agjencia e administratës ka hapur konkurs publik për 6 vende pune (citoj) për punësimin e 6 nëpunësve shtetëror nga grupi I, nëngrupi I në Qeverinë e republikës së Maqedonisë së Veriut – Enti i punëve të përgjithshme dhe të veçanta. Shpallja është bërë në të përditshmet “Nova Makedonija”, “Slloboden Peçat” dhe “Koha” (më poshte e keni këtë shpallje në Gazetën “Koha”).

Siç shihet qartë në shpalljen e konkursit vendet 1, 3, 4 dhe 6 janë paraparë për punësimin e kandidatëve shqiptarë, vendi 2 për kandidat turk dhe vendi 5 për kandidat maqedon. Më poshtë ju sjellim vendimet e komisionit për shpalljen fitues të: Aleksandra Antevska për vendi 2, të paraparë për kandidat turk; Slavica Toshiq për vendin 3, të paraparë për kandidat shqiptar; Elena Rajkovçevska për vendin 4, të paraparë për kandidat shqiptar dhe Sanja Petkovska, për vendin 6 të paraparë për kandidat shqiptar. Tashmë i është marrë dora kësaj mënyrë veprimi dhe për të fshehur gjurmët në vendimin e komisionit nuk shpallet kombësia e deklaruar e kandidatit. Edhe pse Sekretari shtetëror në Ministrinë për shoqëri informatike dhe administratë si edhe Zëvendës drejtori i Agjencisë së administratës janë shqiptarë duket se ata janë shëndërruar në kukulla që vetëm marrin rrogën duke u arsyetuar se hapësira ligjore i mundëson këto devijime. E vërteta është se vet procedura e paraparë e konkursit, e cila është edhe e përshkruar në shpalljen në gazetat e përditshme (shih këtu në fund të shpalljes së konkursit në Gazetën “Koha”), parasheh në fazën e 3-të (citoj) kontrollimin e vërtetësisë së provave dhe intervistimin. Kandidatët shqiptarë që kanë marrë pjesë në këtë konkurs ankohen edhe në anëtarin shqiptar që ka marrë pjesë në komisionin e intervistimit, i cili siç thonë ata jo vetëm që nuk e ka hapur gojën fare gjatë intervistimit të kandidatëve por nuk ka guxuar as t’i përshëndes në shqip këta kandidatë. Meqë vendimet e komisionit nuk kanë marrë ende plotfuqishmëri dhe janë në fazën e mundësisë së ankimimit ftoj mediat dhe miqtë ne fb që ta problematizojnë rastin në mënyrë që të korigjohen shkeljet e bëra hapur përballë të cilave ata që janë në funksione po mbyllin sytë.