Pasi mori një fond prej 190 milionë lekësh për të krijuar një portal nga Fondi i Rindërtimit, tani Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e cila drejtohet nga Mirlinda Karçanaj do të shpenzojë edhe 1.4 miliardë lekë për përmirësimin e sistemit VMS për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Fituesi i këtij tenderi është shpallur kompania “Real Com Shpk” e cila ka si administrator Marjan Brrakën. Kjo kontratë do të jetë për 6 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje. Vendosja e bazës operative do të bëhet tek Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
Kompania “Real Com”, nuk është ndonjë kompani e panjohur sepse sipas të dhënave të Thesarit në 4 vitet e fundit ka përfituar nga tenderat publik plot 2.6 miliardë lekë.
Por gjithashtu as njëri prej aksionerëve nuk është i panjohur në fushën e përfitimit të tenderave.
Aksioneri Servet Kasa, ka aksione në kompaninë “ Albital-Canon” e cila gjatë viteve 2015-2019 ka përfituar plot 1.1 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.
Por çfarë është sistemi VMS dhe për çfarë shërben?
Sistemi VMS është sistem satelitor i mbyllur që transmeton të dhënat e anijeve të peshkimit çdo dy orë kur janë në levizje dhe çdo 4 orë kur ato janë të ankoruara në port.
“Në total janë 220 anije peshkimi mbi 12 metra të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, nga të cilat 199 janë aktive. Nga këto 183 kanë aplikuar për mbështetje pranë AZHBR-së. Që prej muajit Prill 2017, nuk transmetojnë asnjë sinjal në qendrën e kontrollit në QNOD. Në kundërshtim me ligjin dhe shkeljes flagrante të kushteve ndërkombëtare. Pajisjet qendrore të këtij sistemi ndodhen në Qendrën Operacionale Detare – Durrës. Me anë të këtij sistemi kryhet monitorimi dhe gjurmimi i anijeve të peshkimit të regjistruara në Republikën e Shqipërisë” thuhet në dokumentat bashkangjitur tenderit.
“Ky sistem është instaluar fillimisht në vitin 2011 si donacion i BE- së por dhe si një nga kushtet për t’u plotësuar nga shteti jonë pjesë e 5 kritereve për çeljen e negociatave dhe e anëtarësimit nga BE-ja. Ky sistem tashme eshte i vjetëruar dhe ka limite në funksionalitete, por edhe pajisjet jane me parametra te uleta dhe te amortizuara nga koha”, theksohet në dokumentacionin e tenderit.
Edhe pse në buletinin e 4 shkurtit Agjencia e Prokurimit Publik e ka shpallur si tender të fituar,ajo ka harruar të bëjë publike edhe në faqen e saj zyrtare.
Edhe më parë Ministria e Bujqësisë kishte nxjerrë një tender më këtë objekt por me një vlerë tjetër. Fondi i tij limit ishte 160 milionë lekë dhe nuk dihet çka ndodhur më të. Por në tenderin e ri, vlera fituese është shumëfishuar. JOQ ALBANIA