Pas një kërcënimi që kishte marrë para një jave në zyrën e tij në Komunë, Kryetari i Komunës së Prishtinës ka qenë sërish cak i sulmeve.
Kësaj here, Shpend Ahmeti i është dëmtuar vetura nga një person i panjohur, raporton JOQ Kosova.
Ka qenë Shpend Ahmeti i cili përmes një postimi ka konfirmuar se i është dëmtuar goma e veturës nga një person.
Ahmeti thotë se dëmtimi i veturës nuk mund të kuptohet veç si kërcënim ndaj tij, por shton se e kanë të kotë.
“Herët në mëngjes të shtunen, një person e ka pre me thikë rroten e makines së Komunës të cilën e përdori për dalje në terren. Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe pos tentim kërcënimj. Kërcënimet e tilla janë të kota, pa marr parasysh se nga kush vijnë dhe çka synojnë. Rastin e kemi lajmëruar në polici por meqenëse mediat po thërrasin menjëherë pas lajmerimeve në polici, këtë video po e postojmë vet. Kot e keni, kushdo që jeni!”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ndryshe, në Kosovë ditët e fundit janë shpeshtuar kërcënimet. I pari ka qenë ndaj Albin Kurtit, më pas djalit të Isa Mustafës dhe tani kryetarit Shpend Ahmeti.