”Durrësi, fotografia më e çmuar e Vuçiçit”

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 29.12.2019, 20:49
Nga Adriatik Kelmendi
Rama duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë bashkëpunim normal me Serbinë pa Kosovën, nuk mund të ketë bashkëpunim normal me Serbinë duke e anashkaluar Kosovën dhe nuk do të ketë bashkëpunim normal me Serbinë pa u normalizuar së pari marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. E vërtetë që ka nisur mbrapshtë, e saktë se janë bërë gabime të rënda, por duhet shikuar se si të sanohen dhe jo të thellohen. Për këtë, fillimisht, nevojitet urgjentisht një tryezë bashkëpunimi Prishtinë-Tiranë, për të vendosur se si të shkohet tutje. Me inate personale të liderëve, më së shumti do ta pësojnë vetë shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri

JANË DY LINJA të analizës, që duhet bërë të ndara, sa i përket iniciativës së asaj që po quhet Schengen ballkanik dhe Samitit të Tiranës, ndaj të cilit shpërthyen reagimet e ashpra ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Të bashkuara po krijojnë situatë kakofonie, e cila nuk lejon thellimin në përmbajtje, por po kthehet në pështymë, klithmë, urrejtje. Tash, thuajse si në çdo veprim tjetër, qëllimi, cilido që të jetë ai, nuk mund të shihet jashtë kontekstit të vendit, kohës dhe individëve bartës të tij.

Për këtë është i drejtë vlerësimi se treshja Rama – Vuçiç – Zaev kanë bërë gabimin e parë – atë në hapa, kur vendosën që ta mbajnë takimin e parë për iniciativën rajonale në Novi-Sad të Vojvodinës, si dhe gabimin e dytë – mbivlerësimin e rëndësisë së tyre politike karshi liderëve të tjerë të rajonit, nisur nga egoja protagoniste.

U KONFIRMUA SE Rama nuk ishte konsultuar me asnjërin nga liderët institucionalë të Kosovës për pjesëmarrjen e tij në Samitin në Vojvodinë, kur edhe u hodh hapi i parë konkret i Schengenit ballkanik.

A është dashur të konsultohet? Mbase në kushte normale, kjo nuk do të ishte e nevojshme. Shqipëria është shtet më vete dhe i ka të gjitha të drejtat për të zhvilluar politikë rajonale dhe të jashtme, sipas asaj që vlerëson se është më e mirë.

Mirëpo, gjendja nuk është normale. Serbia nuk e njeh Kosovën, kurse Shqipëria edhe në Kushtetutë e ka marrë obligimin që të përkujdeset për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj. Duke mos e njohur Serbia Kosovën dhe duke pranuar nga përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë që ajo të anashkalohet kur flitet për nisma rajonale, është gabim i shumëfishtë.

Kryeministri Haradinaj e ka konfirmuar se homologu i tij nga Shqipëria as nuk e ka ftuar, as nuk e ka konsultuar, as nuk e ka informuar për asnjërin nga tri samitet që u mbajtën deri tash. Njëjtë, për shkak të natyrës se si ishte mbajtur takimi i Novi- Sadit, ftesat e mëpastajme për Ohër dhe Tiranë i ka refuzuar edhe presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, Rama asnjëherë nuk është dashur që ta keqinterpretojë pikën kushtetuese që flet për përkujdesjen e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe atë ta interpretojë si mundësi përfaqësimi edhe të Kosovës, pa u konsultuar me liderët në Prishtinë. Kjo është shkarje e madhe, pasi që presidenti dhe kryeministri i Kosovës nuk i përfaqësojnë vetëm shqiptarët kosovarë, por edhe serbët dhe komunitetet e tjera pakicë. Kurse është në interesin e vetë Vuçiqit që të thotë se Prishtina zyrtare po i përfaqëson vetëm shqiptarët, kurse jo edhe serbët që jetojnë në Kosovë.

TJETRA, TRAJTIMI që iu bë Vuçiçit në vizitën në Shqipëri mbart një problem të një natyre, e cila është përtej atyre që Rama i cilësoi me lehtësi “patetizma”. Ky, në fakt, ishte vetëm një episod i realizuar mirë nga Vuçiqi, sipas një skenari që Beogradi e ka nisur që nga vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Gjatë gjithë kohës sa delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit janë takuar në kuadër të dialogut të Brukselit, diplomacia serbe e ka shfrytëzuar atë për të lobuar te shtete të caktuara për të mos e marrë vendimin për njohjen e Kosovës si shtet sovran, ose edhe, siç po shihet kohëve të fundit, për t’i tërhequr njohjet që i kanë bërë. Kjo, me arsyetimin e Beogradit, se të dyja palët ndodhen në negociata dhe se nuk ka pse të merret anë me njohjen e Kosovës, kur nuk dihet se cila do të jetë marrëveshja përfundimtare.

Çka Rama po e ka të vështirë ta kuptojë është se Vuçiqi me shprehje të brengosur fytyre, krahas tij, duke përshkuar këmbë gërmadhat e tërmetit dhe duke folur me shqiptarët në hall, ia ka dalë ta realizojë fotografinë më të çmuar të jetës së tij politike. Ai tash këtë fotografi do ta shfaqë anekënd botës me përshkrimin: “Siç po e shihni unë nuk kam problem me shqiptarët, madje po iu dal në ndihmë atyre dhe po përqafohem me kryeministrin e Shqipërisë, problemi janë disa udhëheqës të pagdhendur të Kosovës, të cilët nuk ua duan të mirën as shqiptarëve e as rajonit, për këtë arsye e minojnë çfarëdo bashkëpunimi”.

Rama duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë bashkëpunim normal me Serbinë pa Kosovën, nuk mund të ketë bashkëpunim normal me Serbinë duke e anashkaluar Kosovën dhe nuk do të ketë bashkëpunim normal me Serbinë pa u normalizuar së pari marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

PËR KËTO ARSYE, të gjithë këtij lëmshi të panevojshëm duhet bërë një ristart. Edhe Kosova nuk e ka luksin që të izolohet, që të mbetet vrimë e zezë ose të mos bashkëpunojë me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë edhe Serbinë. Por gjithmonë si e barabartë.

Nëse lexohen deklaratat pas takimeve të Novi-Sadit, Ohrit dhe Tiranës, ka shumëçka në to të cilat i përshtaten edhe Kosovës. Prishtina edhe deri më tash është pjesë e shumë iniciativave rajonale kur merr pjesë edhe Serbia. S’ka pse a priori të ketë frikë ta shqyrtojë edhe Schengenin ballkanik, i cili gëzon mbështetje edhe prej BE-së dhe SHBA-së. Aq më tepër, kur edhe gjuha e përdorur në të është bukur korrekte krahasuar me dokumentet e deritashme të ngjashme, kur nuk është përdorur termi “shtet” ose “kufi ndërshtetëror” siç po përdoret tash. Mirëpo, sërish e nënvizuar, se vetëm me kushte të barabarta si gjithë të tjerët dhe me shtyrje përpara të çështjeve që janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Nuk ka përse një iniciativë si kjo, në vend të bashkëpunimit të çojë në përkeqësim të marrëdhënieve në rajon, ose edhe më tmerrshëm, përkeqësim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

E vërtetë që ka nisur mbrapshtë, e saktë se janë bërë gabime të rënda, por duhet shikuar se si të sanohen dhe jo të thellohen. Për këtë, fillimisht, nevojitet urgjentisht një tryezë bashkëpunimi Prishtinë-Tiranë, për të vendosur se si të shkohet tutje. Me inate personale të liderëve, më së shumti do ta pësojnë vetë shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit