Zhvillime të reja kanë ndodhur në çështjen e grabitjes spektakolare në Aeroportin e Rinasit, ku u grabitën mbi 6 milionë euro.
Së fundmi, ditën e sotme, Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur lirimin nga burgu për shtetasin Hasan Kanaci, i cili ishte një ndër të akuzuarit e grabitjes, ku mbeti i vrarë edhe kreu i bandës Admir Murataj.
Mësohet se ndryshimi i masës së sigurisë për Kanacin, nga arrest me burg në detyrim paraqitje, është bërë për shkak të mungesës së provave.
Vendimi u mor mesditën e sotme, në orën 12, por 48-vjeçari, i cili ishte punonjës në aeroport, nuk është liruar ende, pasi administrata e paraburgimit 313 është pushim gjatë fundjavës.
Hasan Kanaci, i cili u arrestua më 15 qershor, dyshohej nga Prokuroria si një nga personat që informoi për grabitjen e Rinasit, e cila ndodhi më 9 prill të këtij viti.
Lidhur me këtë ngjarje, gjashtë persona të tjerë, të dyshuar se kanë lidhje me ngjarjen, vijojnë të mbeten në ambientet e paraburgimit.
Ndërkohë vijojnë të jenë në kërkim nga policia shtetasit Klement dhe Eldi Çala.