Një ngjarje e rëndë u raportua ditën e djeshme në media, ku një 37-vjeçare shqiptare u gjet e vrarë dhe e djegur në një pyll të Francës.
Viktima u identifikua si Brunilda Sadushi. Ditën e sotme, familjarët e 37-vjeçares nga Berati kanë rrëfyer se si e mësuan lajmin e kobshëm, ndërsa apeluan për ndihmë.
Mes lotësh, nëna e Brunildës, 56-vjeçarja Fatime Kovaçi, tregoi se lajmin e hidhur e mori nga një telefonatë e bashkëjetetuesit të vajzës, i cili njëkohësisht është edhe babai i djalit 3-vjeçar, Leonardos.
56-vjeçarja u shpreh se ai i tha se vajza është gjetur e vdekur dhe se familja duhet të shkojë për të tërhequr trupin e pajetë brenda 7 ditësh, pasi në të kundër shteti francez e varros atje.
Fatimeja tregon se Brunilda kishte shkuar në Francë 4 vite më parë dhe jetonte atje me një shtetas shqiptar, me të cilin në Francë ka lindur edhe një djalë. Djali, Leonardoja që është 3-vjeç, aktualisht pas vdekjes së Brunën, ndodhet nën kujdesin e shtetit francez, sepse i ati i tij jeton në Tiranë dhe nuk mund të shkojë dot për të marrë djalin në Francë, pasi në atë shtet ka “ekspuls”, raporton "bw".
Fatimeja tregon se, Brunilda i merrte rregullisht në telefon dhe shpesh herë u dërgonte lekë për t’u ushqyer, pasi familja e saj jeton në kushte të vështira ekonomike. Nëna e Brunildës i bën apel shtetit ta ndihmojë për të sjellë në Berat trupin e vajzës së vdekur dhe djalin e saj 3-vjeçar Leonardon.
“Ne jetojmë 11 persona me një pension 160 mijë lekë (të vjetra) dhe mezi ushqehemi. Në këto kushte të mjerueshme unë i bej apel shtetit të më sjellë trupin e vajzës dhe djalin e saj”, shprehet nëna Fatime Kovaçi. Ajo tregon se Brunilda ka lënë pas edhe 2 fëmijë të tjerë, njërin 20-vjeç dhe tjetrin 14-vjeç,të cilët i ka nga martesa që ka kryer në moshën 13-vjeçare në Berat dhe që, pas largimit të Brunildës në Francë, jetojnë me të.
Apel shtetit për kthimin e trupit të pajetë të Brunës dhe ardhjen në Shqipëri të djalit të saj, i bën edhe gjyshja e Brunildës,75-vjeçarja Xhevrije Aliu, e cila e ka rritur vetë.
Me sytë nga shteti dhe me shpresë, familja Kovaçi, në lagjen “Donika Kastrioti”, ka hapur dyert e mortit, edhe pse ende nuk e ka para syve trupin e pajetë të vajzës, për ta qarë e për ta përcjellë për në banesën e saj të fundit.