Banorët e Thumanës, të cilët u strehuan në hotelet e Shëngjinit pas tërmetit katastrofik që shkaktoi 51 viktima dhe qindra të plagosur, ditën e sotme kanë refuzuar ushqimin në shenjë proteste.
Kjo protestë është bërë për shkak se përfaqësues të Bashkisë së Krujës iu kanë komunikuar vendimin se afati i fundit për qëndrimin e tyre në këto hotele është deri më 3 janar, e më pas ata do strehoen në shtëpi me qira.
‘BalkanWeb’ raporton se për banorët ky afat nuk është i mjaftueshëm, pasi në këtë periudhë është e vështirë gjetja sipas tyre e banesave me qira.
Kujtojmë se tërmeti i 26 nëntorit përveç 51 viktimave, shkaktoi plagosjen e mbi 700 personave si dhe la në qiell të hapur mijëra banesa.
Deri më tani shumë pak familje janë sistemuar, pasi pjesa më e madh jetojnë në çadra apo edhe hotele.