Një sasi tritoli ka shpërthyer pas mesnatës në biznesin e një 47-vjeçari në zonën e Don Boskos.
Mësohet se sasia e tritolit ka shpërthyer në objektin e shtetasit Përparim Kalbaj.
47-vjeçari nuk është një person i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi në shkurt të 2018 ai është arrestuar së bashku me tre persona të tjerë në kuadër të operacionit “decline” të cilëve u janë sekuestruar 276 gram kokainë që i shpërndanin në zonën e Bllokut.
Ata janë ndaluar në një loto sportive që ndodhej në rrugën “Nikolla Jorga” dhe sipas policisë, të arrestuarit shisnin kokainë në sasi të vogla, tek persona të ndryshëm në zonën e Bllokut.
Përsa i përket shpërthimit, mësohet se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë pikë së transfertës së parave, për të shkuar në gjurmët e autorëve. Tritoli dyshohet se është vënë në shenjë paralajmërimi ndaj tropojanit.