Pasditen e sotme një shpërthim i fuqishëm ndodhi pranë një pike karburanti në zonën e Kombinatit në Tiranë.
Drejtori i Zjarrfikësve, Shkëlqim Goxhaj ka qartësuar situatën, duke theksuar se shkak për zjarrin dyshohet përplasja e një mjeti motor me depozitën e gazit.
Gjatë një prononcimi për 'News 24', ai tha se nuk ka pasur asnjë shpërthim në karburant, por flakët e mëdha u përhapën si pasojë e përplasjes.
Më tutje, Goxhaj deklaron se shpërthimi i mundshëm është parandaluar.
Ndërkohë, më herët policia nxori një njoftim në lidhje me ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:46 në rrugën “Llazi Miho”, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve ku si pasojë ka veç dëme materiale. Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset po bëjnë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes së mëtejshëm të tij.
Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.
Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, ku po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.