Krishtlindja, Arqipeshkvi i Shkodrës jep mesazhin e fortë: Mendësia mafioze dhe korrupsioni po shkatërrojnë vendin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.12.2019, 12:54

Teksa jemi në vigjilje të Krishtlindjes, një ndër festat më të mëdha të besimtarëve të krishterë në mbarë botën, Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër-Pult, imzot Angelo Masafra ka bërë një urim me rastin e kësaj dite të shënuar.

Në mesazhin e tij, Musafra nuk lë pa prekur edhe shumë plagë të shoqërisë shqiptare, duke nisur që nga largimi i të rinjve, tek 'mendësia mafioze e shitblerjes së favoreve', korrupsioni etj.

Kleriku i lartë katolik ndër të tjera flet edhe për katastrofën natyrore që goditi vendin më 26 nëntor, teksa shprehet se 'tërmeti s'ka aq fuqi sa ta vrasë shpresën tonë', ndërsa uron që Krishtlindja të sjellë ndryshime të vërteta dhe thelbësore.

Mesazhi i plotë i Angelo Masafra:

“Mesazhi që këtë vit dëshiroj t’ju drejtoj me rastin e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri kushtëzohet prej ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, në veçanti prej tërmetit të tmerrshëm që shkaktoi jo pak viktima e la pas plagë e brishtësi për shoqërinë shqiptare.

Megjithatë, edhe pse ka zbehur gëzimin e këtyre festave, nuk ka aq fuqi sa ta vrasë shpresën tonë. Le të mikpresim nxitjen e Palit apostull që të mos jemi të trishtuar si ata që nuk kanë shpresë (krh. 1Sel 4, 13).

Si bashkësi katolike e dioqezës, jemi duke reflektuar gjatë këtij viti mbi rëndësinë që ka të jetuarit në Krishtin, të shoqëruar nga slogani paulin: “Që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë” (Fil 2, 10).

Të jetosh në Krishtin do të thotë të kesh “po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus” (Fil 2, 5), domethënë: vetëdije për marrëdhënien birnore që na lidh me Hyjin Atin tonë; vlerësim i vetes si krijesa dhe si rrjedhojë në marrëdhënie me të ngjashmit tanë dhe me krejt krijimin.

Të gjithë i shohim gjestet e solidaritetit, që populli ynë ka bërë gjatë tërmetit të fundit, krahas solidaritetit që kemi marrë prej shumë shteteve të tjera.

Por njëkohësisht të gjithë i shohim edhe gjërat negative që po ndodhin ne Vendin tone. Megjithatë, të fortë prej vetëdijes se jemi në duar të Zotit që nuk na braktis dhe të bindur për aftësinë tonë për të bërë mirë, nuk mund të humbim shpresën dhe të bëjmë disa reflektime të rastit.

Kush e di nëse katastrofa natyrore që na ka goditur një muaj më përpara nuk mund të shërbejë si “shkundje”, me qëllim që Shqipëria jonë t’i hapet një kohe ku interesi për të mirën e përbashkët të bëhet më i madh se ai për të mirën private, ku strukturat që janë krijuar për mbrojtjen e jetës të funksionojnë në mënyrë efikase dhe ku formimi i punonjësve, i teknikëve dhe i vullnetarëve në raste emergjencash të merret seriozisht?

Kush e di nëse gjithë kjo rrëmujë shoqërore që jemi duke përjetuar në këtë moment nuk favorizon formimin dhe specializimin në artin e politikës të personave pa interesa personale, por me një dashuri të madhe për Atdheun, të gatshëm për t’u vënë në drejtimin e Vendit?

Kush e di nëse largimi nga Vendi i shumë të rinjve dhe i shumë familjeje nuk është një rast për ata që qëndrojnë që ta rishikojnë gjendjen aktuale të vendit dhe ndërgjegjet t’i hapen një bashkëpunimi faktik mes qytetarëve dhe Shtetit për të përmirësuar realitetin ekzistues, duke ndalur këtë fluks që shprehimisht është duke varfëruar tokën tonë prej atyre energjive të reja dhe jetësore për të cilat ajo ka nevojë?

Hyji mund ta bëjë një gjë të tillë, por jo pa përgjigjen pozitive të bijve të vet. Qysh prej momentit të parë kur njeriu u shfaq në tokë, siç na thotë Shkrimi i shenjtë, Hyji ia besoi njeriut detyrën e mbarështuesit të saj (krh. Zan 1, 28); një detyrë prej të cilës askush nuk mund të ndihet i lënë jashtë apo i përjashtuar. Aq më pak, ne të krishterët!

Nuk ekziston asnjë kategori personash që nuk mund të japë kontributin e vet: secili për sa i takon dhe sipas mundësive të veta mund dhe duhet të ndihet bashkëpërgjegjës në mbarëvajtjen e Vendit; si fillim duhet të ndryshohen të gjithë ato qëndrime që e pengojnë Shtetit që të bëjë detyrën e vet: para së gjithash inati ndaj institucioneve, pastaj mendësia mafioze e shit-blerjes së favoreve, pasi një favor që më bëhet mua është një akt padrejtësie që i bëhet dikujt tjetër: me fjalë të tjera, është ajo që quhet “korrupsion”. Për këtë arsye, i ftoj të gjithë të krishterët që ta vlerësojnë këtë angazhim si një akt të vërtetë kulti kushtuar Hyjit.

Urimi im nuk është thjesht një urim në kuptimin klasik të fjalës, por ai dëshiron të jetë edhe një nxitje e fortë drejtuar çdo personi vullnetmirë, me qëllim që Krishtlindja të sjellë ndryshime të vërteta dhe thelbësore: përndryshe, do të ishte një rast i humbur, një gënjim që i bëjmë vetes që, të verbuar prej dritave dhe ngjyrave të festës, nuk do të jemi të aftë të shohim praninë e Hyjit që na do, që do të mirën tonë dhe që na fton për ta bërë të mirën.

Jezu Krishti, Hyji-me-ne, e bekoftë këtë tokë, i dhëntë asaj paqe e qetësi; i shëroftë të sëmurët tanë dhe zemrat e plagosura prej tragjedisë; pastë mëshirë për të vdekurit; qoftë udhëheqësi i mendjeve tona, zjarri që ndez zemrat tona, veçanërisht të atyre të rinjve që, të pashpresë, po kërkojnë diku tjetër realizimin e tyre; në mënyrë që të dashuruar më shumë me Vendin tonë të qëndrojnë këtu me qëllim që Shqipëria jonë e bukur të rindërtohet me bashkëpunimin dhe dashurinë e të gjithëve.

Ju uroj Për shumë vjet Krishtlindjen 2019 dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020 katolikeve, ortodoksëve, të krishterëve dhe njerëzve vullnetmirë.

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit