Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar sërish lidhur me çështjen e të ashtuquajturit "Minishengeni Ballkanik".
Përmes një postimi në "Facebook", Manjani shkruan me ironi se sapo doli "Minishengeni" i harruam të gjitha problemet, teksa përmend votimet moniste, raportin e ODIHR për 30 qershorin, reformën zgjedhore, gishtin e mesit të Boschardt, tërmetin dhe pasojat e tij.
Duke vijuar ironinë dhe sarkazmën, ish-ministri shprehet se "Minishengeni" mund të kurojë edhe kancerin.
Reagimi i plotë:
Sa mirë që doli ky minischengeni se i harruam të gjitha problemet!
Harruam, votimet moniste; raportin sterr të ODIHR; dështimin në BE; 9 kushtet e Gjermanisë; reformën zgjedhore megjithë gishtin e Bosxhard; tërmetin megjithë pasojat e tij; njerëzit pa shtëpi e pa çadra;paketën anti-shpifje dhe për momentin dhe ligjin KÇK.
Në çdo vend normal do mjaftonte vetëm njëra nga këto çështje dhe do ishte harruar qeveria. Kurse ne harrojmë problemin, siç harrojmë një fluturim të sikletshëm nga turbulencat...
Tani kemi minischengenin. Zgjidhjen e të gjitha problemeve. Thonë që ky minischengeni kuron edhe kancerin...
Deri sa të bëhet show tjetër me konferencën e donatorëve, do kënaqemi me minischengenin. Me lugë bosh, por do kënaqemi...
Rilindja është qartësisht në fushatë elektorale. Nga qeverisja i ka larë duart me kohë...
Sa më shpejt të kuptohet që jemi në fushatë elektorale, më mirë do jetë.