Është ndarë nga jeta ish-gazetari dhe diplomati i njohur, Myftar Gjana.
Gjana ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare pasi humbi betejën me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante.
Ai do të përcillet për në banesën e fundit ditën e sotme në orën 13:00.
Gjana gjithashtu njihet si një nga themeluesit e Partisë Demokratike dega Kukës.
Kush ishte Myftar Gjana?
Myftar Gjana lindi më 10 maj 1960 në qytetin e Peshkopisë. Gjimnazin e kreu në qytetin e Kukësit në vitin 1978, ndërsa studimet e larta i kreu në vitet 1986 – 1991 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Nga viti 1991 – 1992 ka qenë kryeredaktor i gazetës "Kosova", ndërsa në vitet 1992 – 1996 ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme si drejtor i Drejtorisë së Shtypit.
Në vitet 1993 – 1994 kreu Akademinë Mesdhetare të Studimeve Diplomatike në Maltë, ku fitoi edhe gradën "Master në Diplomaci". Në vitet 1996 – 1997 ka punuar në Kuvendin Popullor në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Informacionit dhe Dokumentacionit. Në vitet 2000 – 2001 ka punuar si administrator në Bibliotekën Kombëtare. Vitet e fundit është inxhinier në profesion të lirë.
Vepra të autorit:
Elipsi i humbjes, poezi, 1993
Sa një pasthirrmë kam jetuar, poezi, 1995
Sa një pasthirrmë kam jetuar, poezi, ribotim i përmirësuar, 1997
Njeriu i sferës- 2006
Përkthime:
Arti i të dashuruarit, Erich Fromm, 1997
Origjinat e totalitarizmit, politologji, Hannah Arendt, 2001
Poezi të zgjedhura, David Lourens, 2002
Ese të zgjedhura, estetikë, Oscar Ëilde, 1998
Konflikti i qytetërimeve, politologji, Samuel Huntington, 2002