5 muaj burg është dënimi që ka marrë një shqiptar në Britaninë e Madhe, pasi u ndalua nga autoritetet dhe u shpall fajtor për ngritjen e një ferme kanabisi. Shqiptari kishte pak ditë që kishte mbërritur ilegalisht në Angli.
Ata që e sollën e futën direkt në “punë”, duke i kërkuar të kujdesej për kanabisin e mbjellë në një shtëpi në Coventry. Sipas CoventryObserver, shqiptari Kleris Bregasi u arrestua vetëm dy ditë pasi kishte nisur të kujdesej për bimët.
Aksioni u krye nga disa oficerë me rroba civile, që panë dëmtime në derën e shtëpisë. Kur u futën brenda, ata gjetën 53 rrënjë kanabisi, me një vlerë tregu prej 14 mijë sterlina.
Kur u intervistua, shqiptari tha se sapo kishte ardhur dhe se e kishin paguar 40 sterlina për punën që bënte. Ai tha se kishte hezituar të bënte punën e kërkuar në fillim, por u vendos nën persion për shkak se ata që e sollën, e dinë ku jeton familja e tij në Shqipëri.
Gjykatësi, teksa i dha dënimin, i tha se pavarësisht kohës së shkurtër, ai kishte ofruar mbështetje për një nismë kriminale.