Shqipëria u përfshi ditën e sotme nga rreshje, erëra dhe përmbytje të shumta, që sollën problem në shumë qytete të vendit.
Autoritetit Rrugor Shqiptar raporton se ka pasur rënie gurësh dhe dherash në rrugë, pemë të rrëzuara si dhe mbetje të tjera, të cilat kanë krijuar vështirësi në rrugë.
Në Rajonin Verior më problematike është paraqitur situata në aksin Bajram Curri –Valbonë, ku ka pasur rënie masive gurësh dhe dherash. Rënie materialesh ka pasur edhe në segmentet Hani i Hotit – Tamarë, Mjedë –Pukë, Fushë Arrëz –Kukës. Mësohet se aktualisht nuk ka probleme. Kalueshmëria është normale në të gjitha akset e rajonit.
Ndërkohë në vendin e quajtur Krajkë në Fushë Bulqizë, një mjet është përmbysur nga era e fortë, por pa dëme në njerëz. Punonjësit e kompanisë së mirëmbajtjes së rrugëve, të cilët ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe me mjetet e tyre kane bërë të mundur ngritjen e automjetit.