51 jetë të pafajshme mori tërmeti apokaliptik që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, epiqendra e të cilit ishte 10 km nga qyteti i Durrësit, me magnitudë 6.4 sipas shkallës Rihter.
Mbi 650 persona mbetën të lënduar nga lëkundjet e fuqishme, ndërsa mijëra ndërtesa, banesa e pallate pësuan dëmtime, ose u rrënuan terësisht.
Teksa jemi pak ditë pas tërmetit dhe shumica e pallateve të dëmtuar nga tërmeti janë të ndërtuar gjatë viteve të fundit, një fenomen absurd ka nisur të manifestohet në qytetin e Durrësit.
Qytetarët kanë denoncuar me fakte se si pronarët e pallateve shumëkatësh të dëmtuar në Durrës, në përpjekje për të mbuluar përgjegjësinë dhe fajin për cilësinë e ndërtimit, kanë nisur të suvatojnë të çarat e mureve.
Kjo mund të cilësohej diçka normale, por ky veprim është ndërmarrë pa ardhur ekspertët për të vlerësuar nëse është ose jo e banueshme ndërtesa.
Fotoja e mëposhtme është shkrepur ditën e djeshme tek rruga e Portit të Durrësit, në një prej pallateve të ndërtuar vitet e fundit. Siç mund të shihet qartazi në foto, brenda derës së ballkonit dallohet muri i dëmtuar plotësisht, që ka pësuar çarje të mëdha.