Prej gjashtë ditësh nuk ka asnjë informacion për fatin e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili është denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij. Dyshimet e para të hetuesve janë se i riu mund të jetë marrë peng, ndërsa kërkimet për gjetjen e tij vijojnë në disa zona të vendit.
Në foton e fundit të Koçit, ai shfaqet duke lëvizur me motor. Pamjet e kamerave të sigurisë mbajnë datën 4 qershor, ditë që përkon edhe me momentin kur familja humbi kontaktet me 34-vjeçarin.
Policia e Tiranës ka zbardhur detaje të reja mbi zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i denoncuar si i humbur nga familjarët më 5 qershor. Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se ai mund të jetë rrëmbyer dhe më pas vrarë, megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur. Në kuadër të hetimeve është identifikuar dhe shpallur në kërkim Armand Shaka, 41 vjeç, shoku i tij, i dyshuar si personi që ka mbajtur peng të riun.
Nga veprimet hetimore është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë para zhdukjes. Policia ka sekuestruar edhe automjetin që dyshohet se është përdorur për transportimin e tij, ndërsa ka arrestuar në flagrancë Enea Zyferin, 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin pas ngjarjes. Kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit dhe kapjen e autorit të dyshuar vijojnë.