Një situatë shqetësuese është raportuar në lagjen Boks të Postribës, në Shkodër, ku banorët denoncojnë raste të përsëritura të vrasjes së maceve me armë zjarri.
Sipas denoncimit, kafshët e pambrojtura janë qëlluar në mënyrë të qëllimshme, duke shkaktuar indinjatë dhe frikë te komuniteti. Banorët e cilësojnë këtë sjellje si çnjerëzore dhe të papranueshme, duke theksuar se macet nuk përbëjnë asnjë rrezik dhe janë pjesë e mjedisit të përditshëm të lagjes.
Ngjarjet kanë ngritur shqetësim serioz për sigurinë e komunitetit dhe mirëqenien e kafshëve në zonë, ndërsa qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përkatëse.
Ata apelojnë që të nisë një hetim i menjëhershëm për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.