Dhjetëra qytetarë janë mbledhur mbrëmjen e sotme në Vlorë në kuadër të valës së protestave që prej disa ditësh ka përfshirë Shqipërinë dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Me pankarta, brohoritje dhe sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit marshuan në rrugët e qytetit, duke shprehur pakënaqësinë dhe revoltën e tyre ndaj klasës politike që ka drejtuar vendin gjatë dekadave të fundit. Gjatë marshimit nuk munguan as thirrjet: “Eja, mblidhuni këtu, bashkë me ne”.
Pamjet janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një prej pjesëmarrësve në protestë, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të tjerë të Vlorës t’i bashkohen lëvizjes.
Në mesazhin e tij drejtuar redaksisë, ai shprehet:
“Vlora sot protestoi kundër tradhtarëve. Rama burg, Berisha burg! U bëj thirrje gjithë patriotëve vlonjatë të bashkohen dhe të çohen.”
Protesta në Vlorë i shtohet tubimeve të ngjashme që janë zhvilluar ditët e fundit në qytete të ndryshme të vendit, si dhe në disa shtete ku jetojnë shqiptarë të Diasporës.