Me afrimin e temperaturave të larta, një shqetësim që vitet e fundit po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë po rikthehet sërish në vëmendje: shfaqja e gjarpërinjve në zona të banuara. Ajo që dikur konsiderohej një rast i rrallë, po kthehet në një fenomen që po krijon pasiguri dhe shqetësim te qytetarët.
Së fundmi, një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë duke raportuar një rast të tillë në zonën e ish-Fushës së Aviacionit. Sipas tij, në trotuaret e zonës është parë duke lëvizur një gjarpër i përmasave të mëdha, duke ngritur shqetësime për sigurinë e banorëve dhe veçanërisht të fëmijëve që frekuentojnë zonën.
Pamje të tilla, sidomos në hapësira ku kalojnë çdo ditë familjarë, të moshuar dhe fëmijë, krijojnë jo pak panik te banorët. Gjatë periudhës së verës, me rritjen e temperaturave, zvarranikët dalin më shpesh nga habitatet e tyre natyrore në kërkim të ushqimit apo vendeve më të freskëta, duke u afruar edhe pranë zonave urbane.
Qytetari ka bërë apel që prindërit të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos i lënë fëmijët pa vëmendje, pasi situata sipas tij mund të paraqesë rrezik.