U shua në moshën 84-vjeçare, aktori Birçe Hasko përcillet me duartrokitje për në banesën e fundit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 24.05.2026, 13:23

Me duartrokitje dhe mes emocionesh të forta, familjarë, miq, kolegë dhe artdashës i dhanë lamtumirën e fundit aktorit të njohur Birçe Hasko. Homazhet në nder të tij u zhvilluan në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, një ditë pas ndarjes së tij nga jeta, ndërsa ceremonia e përcjelljes drejt banesës së fundit do të zhvillohet në vendlindjen e tij, në Dukat të Vlorës.

Ikja e aktorit në moshën 84-vjeçare shënon humbjen e një prej figurave të rëndësishme të artit dhe kinematografisë shqiptare, i cili për dekada me radhë la gjurmë në skenë dhe ekran.

Një ndër rolet më të spikatura dhe më të dashura për publikun mbetet ai i Milo Tafanit në komedinë “Shi në plazh”, një interpretim që konsiderohet ndër realizimet më të arrira të karrierës së tij artistike. Gjatë rrugëtimit në teatër, ai interpretoi mbi 12 role, duke dëshmuar talentin dhe përkushtimin e tij ndaj skenës.

Birçe Hasko lindi më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës. Kontributi i tij në kinematografinë shqiptare ishte po aq i rëndësishëm, ku interpretoi dhjetëra role që mbetën në kujtesën e publikut. Debutimi i tij në ekran erdhi në vitin 1971 me rolin e një ballisti në filmin “Kur zbardhi një ditë”.

Më pas karriera e tij vijoi me interpretime të shumta në filma të njohur si “Radiostacioni”, ku luajti rolin e Mete Jahos në vitin 1979, “Skëterrë 43” në vitin 1980 me rolin e Syrjait, “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 në rolin e mësuesit, si dhe shumë role të tjera që kulmuan me paraqitjen e tij të fundit në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.

Për kontributin e tij të çmuar në art dhe kulturë, Birçe Hasko u vlerësua me një sërë titujsh dhe çmimesh prestigjioze. Në vitin 1976 u nderua me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë, ndërsa në vitin 1988 mori titullin “Artist i Merituar”. Në vitin 1995 u shpall Profesor, ndërsa më pas mori edhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Gjithashtu, në vitin 2007 ai u shpall “Qytetar Nderi” i Orikumit.

Me largimin e Birçe Haskos, arti shqiptar humbet një emër të madh, por trashëgimia e tij artistike do të vazhdojë të jetojë përmes roleve dhe kontributit që ai la pas ndër vite.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit