Polici doli me komshiun që theu arrestin shtëpiak, trafikantët ngatërruan shënjestrën

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.05.2026, 09:41

Efektivi i Policisë së Shtetit, Anxhelo Kumaraku, 30 vjeç, mbeti i plagosur me armë zjarri pak pas mesnate në zonën e Shkozës në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, ai është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa ndodhej në lagje në shoqërinë e fqinjit të tij, i cili rezulton të ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Si pasojë e të shtënave, Kumaraku ka marrë një plumb në këmbë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se fqinji i efektivit kishte konflikte me persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, për shkak të prishjes së pazareve. Dyshohet se autorët kanë përfituar nga fakti që ai kishte dalë nga banesa, duke thyer masën e sigurisë të vendosur nga gjykata, dhe kanë organizuar atentatin ndaj tij. Hetuesit po verifikojnë pistën se objektivi i sulmit ka qenë pikërisht personi në arrest shtëpie dhe jo efektivi i policisë.

Në fokus të hetimeve është vendosur edhe roli i vetë Anxhelo Kumarakut, pasi dyshohet se ai jo vetëm kishte dijeni që fqinji kishte thyer “arrestin e shtëpisë”, por nuk kishte njoftuar strukturat policore dhe po e shoqëronte në momentin e atentatit. Menjëherë pas ngjarjes, Policia ngriti pika kontrolli në disa akse të Tiranës dhe po zhvillon kontrolle intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit