Projektligji i ri: Faturat e energjisë si kredi, debitorëve mund t’u bllokohen pronat

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.04.2026, 20:44

Një projektligj i ri për sektorin e energjisë elektrike pritet të ndryshojë rrënjësisht raportet mes furnizuesve dhe konsumatorëve debitorë, duke prezantuar masa shtrënguese që tejkalojnë thjesht ndërprerjen e energjisë apo procedurat standarde përmbarimore.

Risia më e rëndësishme e këtij drafti është instrumenti që u jep furnizuesve të drejtën për të vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientëve që nuk shlyejnë detyrimet. Ndërsa fatura e energjisë vijon të mbetet titull ekzekutiv, ky ndryshim i afron detyrimet ndaj kompanive energjetike me ato financiare dhe bankare, duke i dhënë shtetit apo kompanive private një garanci pasurore mbi borxhin e akumuluar.

Sipas parashikimeve të dokumentit, çdo klient është i detyruar të respektojë kontratën e furnizimit, por në rast mospagese, furnizuesi tashmë mund të sigurojë detyrimin drejtpërdrejt përmes pasurisë së klientit.

Ligji ka përcaktuar një shkallëzim të qartë të masave, ku fillimisht klienti njoftohet me shkrim për borxhin dhe paralajmërohet për hapat pasues. Përveç ndërprerjes së energjisë, kompania mund të kërkojë në gjykatë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, duke e trajtuar faturën si një titull të pakontestueshëm për nisjen e vjeljes së detyruar të parave.

Pika më e nxehtë e këtij projektligji targeton kryesisht bizneset dhe klientët jofamiljarë që kanë borxhe të konsiderueshme. Konkretisht, nëse detyrimi i papaguar kalon vlerën prej 1.5 milionë lekësh, furnizuesi fiton të drejtën ligjore për të kërkuar vendosjen e barrës hipotekore mbi pronën e paluajtshme që furnizohet me energji. Ky bllokim i pronës shërben si garanci për shlyerjen e plotë të borxhit, duke e bërë të pamundur shitjen apo tjetërsimin e saj pa likuiduar më parë faturat e energjisë.

Megjithatë, procedura nuk është e menjëhershme dhe parashikon disa afate mbrojtëse për debitorët që mund të kenë pretendime mbi saktësinë e faturimit. Klienti ka në dispozicion 30 ditë kohë për të kundërshtuar njoftimin me shkrim, ndërsa furnizuesi duhet ta shqyrtojë ankesën brenda 15 ditësh; nëse vërtetohet se detyrimi është shlyer apo ka pasur gabime, procedura ndalet menjëherë.

Vetëm pasi gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit, furnizuesi mund t’i drejtohet Kadastrës për regjistrimin e hipotekës, ndërsa procesi final i kalon përmbaruesit gjyqësor, me klientin që ruan sërish të drejtën për kundërshtim në gjykatë.

Për hartuesit e ligjit, ky mekanizëm pritet të rrisë disiplinën e pagesave dhe të reduktojë ndjeshëm nivelin e borxheve të prapambetura në sektorin energjetik. Nga ana tjetër, ky ndryshim shihet me shqetësim për ndikimin e mundshëm te stabiliteti financiar i bizneseve, sidomos në periudha vështirësish ekonomike, pasi bllokimi i pasurisë mund të kufizojë aktivitetin e tyre tregtar.

Nëse projektligji miratohet, mbetet për t'u parë nëse ky instrument do të përdoret si një masë ekstreme për debitorët e mëdhenj apo do të shndërrohet në një praktikë të gjerë që mund të rëndojë situatën pasurore të sipërmarrjeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit