Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një punëtor 50-vjeçar me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë pas një aksidenti të ndodhur gjatë punës në një fermë bujqësore.
Aksidenti ka ndodhur më 27 prill në zonën rurale të Melliccianos, pranë Castelfiorentinos, ku burri ishte i angazhuar me punë në terren. Sipas të dhënave paraprake, një betoniere portative është rrëzuar papritur gjatë punës, duke e zënë poshtë dhe duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës. Viktima është gjetur në gjendje kritike dhe është intubuar në vend, më pas ai u transportua me helikopterin e urgjencës drejt spitalit “Careggi” në Firence, ku u trajtua në repartin intensiv.
Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, plagët e marra rezultuan fatale dhe humbi jetën mëngjesin e 29 prillit.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, duke u fokusuar veçanërisht te kushtet e sigurisë në vendin e punës dhe përgjegjësitë e mundshme.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rrezikun e lartë që mbartin punët në sektorin bujqësor dhe nevojën për masa më të forta sigurie në vendet e punës.