Një ngjarje e rëndë është shënuar rreth mesnatës së 1 prillit në Vlorë, ku forcat e policisë janë përfshirë në një incident të rrezikshëm gjatë ndjekjes së një automjeti që nuk iu bind urdhrit për ndalim. Ngjarja ka ndodhur përgjatë bulevardit “Ismail Qemali”, duke shkaktuar tension dhe panik në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Golf” ka refuzuar të ndalojë, duke detyruar patrullën e policisë ta ndjekë. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i mjetit, i dyshuar si një 15-vjeçar, dyshohet se ka përplasur qëllimisht automjetin e policisë, duke shkaktuar një aksident të rëndë.
Si pasojë e përplasjes, dy efektivë të policisë kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore. Në aksident është përfshirë edhe një automjet tjetër tip “Benz”, por fatmirësisht pa persona të lënduar, ndërsa autoritetet po punojnë për kapjen e të miturit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.