“Diella”, ministrja e parë në botë e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, e prezantuar me bujë nga kryeministri Edi Rama dhe e komentuar gjerësisht në mediat ndërkombëtare, është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes, këtë herë në formën e një satire nga media kroate.
Rama e ka promovuar Diellën si mjet për të luftuar korrupsionin, sidomos në tenderat publikë. Madje, së fundmi, ai ka ironizuar situatën duke deklaruar me shaka se “Diella ka mbetur shtatzënë dhe do të lindë 83 fëmijë që do t’u vijnë në ndihmë deputetëve”.
Fillimisht e projektuar si asistente virtuale e integruar në platformën qeveritare e-Albania për t’u shërbyer qytetarëve, Diella më vonë u ngarkua me detyrën shumë më të ndjeshme të administrimit të tenderave publikë, një fushë që tradicionalisht ka nxitur korrupsion në gjithë rajonin e Europës Juglindore.
Megjithatë, portali satirik kroat botoi një artikull me titullin provokues: “Arrestohet Diella, ministrja e Inteligjencës Artificiale, për marrje ryshfeti në kriptovaluta”. Edhe pse lajmi është plotësisht i rremë dhe i natyrës humoristike, ai prek një temë të ndjeshme: perceptimin e lartë të korrupsionit në Shqipëri.
Në fakt, ndërsa kryeministri Rama e shfaq Diellën si zgjidhjen magjike që do të pastrojë korrupsionin me një “klik” algoritmik, realiteti i tenderave në Shqipëri vazhdon të flasë ndryshe. Satira kroate duket se godet pikërisht aty ku dhemb më shumë: në një sistem ku edhe inteligjenca artificiale, me sa duket, duhet të ketë kujdes të mos infektohet nga “virusi i vjetër ballkanas”. Këtë e dëshmojnë më së miri zhvillimet e fundit, si hetimi ndaj Belinda Ballukut, e cila u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin gjigant të tunelit të Llogarasë, një çështje që duket se e ka futur qeverinë në një pozitë jo fort “digjitale”, por tejet tokësore dhe problematike.
Ironia bëhet edhe më e mprehtë kur në këtë tablo përfshihet edhe rasti i Mirlinda Karçanit, drejtueses së AKSHI-t, institucioni që administron gjithë infrastrukturën e e-Albania-s dhe mekanizmat digjitalë që Rama i promovon si shembuj moderniteti. Paraqitja e saj në SPAK për procedura të dyshimta tenderimi shton akoma më shumë dyshimet se teknologjia, sado e sofistikuar të jetë, nuk mund të funksionojë si “dritë magjike” mbi një sistem që prej vitesh shfaq të njëjtat probleme. Në këtë kontekst, satira kroate duket thuajse profetike: në një vend ku akuzohen ministra dhe drejtues të lartë për manipulim tenderash, nuk është çudi që edhe një ministre virtuale përfundon nën “hetim imagjinar”.