Vetëm 87 kilometra nga kryeqyteti, në Shkodër me trafik normal arrin për 90 minuta, por duket aq e largët, jo për shkak të gjeografisë, por prej harresës që i kanë kushtuar të gjitha qeveritë djepit të kulturës në vendin tonë.
Nisim nga rrugët, për të mbërritur në Shkodër duhet të kalosh kalvarin e trafikut të Kasharit, më pas të aksit Milot-Lezhë, e nëse je pa fat kantieri në hyrje të qytetit, i cili ka nisur restaurimet e rrugës prej fillim të vitit dhe nuk dihet kur do të jetë gati, do të të kushtojë akoma më shumë kohë.
Një nga zonat më të bukura të Shkodrës është padyshim Shiroka, por për të arritur atje, rruga duket se ka mbetur në shekullin e kaluar.
Në këtë qytet gjendet një nga teatrot më të bukur të Shqipërisë, por ende nuk është vënë në punë sistemi i ngrohjes, mungojnë investime në dhomat e zhveshjes, për të mos përmendur pagat e aktorëve dhe stafit teknik.
Kalaja e Rozafës është thuajse e braktisur, të vetmit që nuk heqin dorë janë të huajt të cilët e vizitojnë.
Shkodra nga aspekti i relievit dhe gjeografisë është ndoshta vendi me më shumë pasuri në vend: ka histori, kulturë, kështjellë, det, liqen, lumë, kulinari, por jo investime.
INSTAT e ka renditur në 2023 rajonin me më pak investime dhe me rritjen më të vogël ekonomike.
Ky qytet kishte rritjen më të dobët, vetëm 1.3%. Krahasuar me qytete ku investimet kanë qenë të përqendruara, si Vlora apo Durrësi, Shkodra nuk ka marrë as 1/5 e këtyre investimeve.
Në tërësi, rajoni verior u rrit me 3.05% në vitin 2023, ndërsa Shkodra ishte me rritjen më të ulët, ndryshe nga Lezha, e cila duket se ka përfituar nga investimet qeveritare.
Faktorët që kanë ndikuar në këtë ngadalësim ekonomik janë mungesa e diversifikimit ekonomik dhe e investimeve të mëdha private dhe publike.
Ekonomia ka vijuar të mbetet e përqendruar në sektorë tradicionalë, si bujqësia, tregtia dhe shërbimet bazike, të cilat në shumicën e rasteve shërbejnë si mjete mbijetese, por jo si zhvillim.
Emigracioni është një fenomen që ndikon prej vitesh në këtë zonë. Ikja e të rinjve dhe e forcës së kualifikuar të punës vë në vështirësi edhe bizneset e mbetura.
Infrastruktura e transportit dhe lidhjet e kufizuara rrugore me zonat e tjera ekonomike të vendit e kanë penalizuar në raport me flukset tregtare dhe turistike.
Në buxhetin e miratuar nga Bashkia për vitin 2025, apo edhe në atë që është parashikuar për 2026, ironikisht afro 44% e tij shkon vetëm për pagesën e administratës. Në buxhet përcaktohet se totali i shpenzimeve të personelit për 2026 është planifikuar 1,269,627 mijë lekë dhe zë 43.9% të shpenzimeve.
Janë përllogaritur edhe afro 11% shpenzime për blerje dhe arredime të ndryshme, nga zyrat e deri tek pajisje të tjera, por nuk ka një panoramë të qartë mbi investimet në sektorë kryesorë që ndihmojnë ekonominë e një qyteti.
Turizmi mbetet rruga e vetme e rimëkëmbjes, por edhe pse ka potencial të madh, me mungesën e vëmendjes dhe të investimeve lokale, por mbi të gjitha qendrore, ky sektor nuk ka arritur ende të krijojë ndikim të qëndrueshëm në rritjen ekonomike të qytetit.
Edhe pse u premtua se marrja e kësaj bashkie nga socialistët do të sillte ndryshime në qytet, për Shkodrën harresa i takon të dyja krahëve politikë.