Në ambientet e heshtura të shkollës Dom Nikollë Kaçorri në Durrës, sot mungonte zëri i një djali që deri dje mbushte korridoret me buzëqeshjen e tij. Mësuesit, shokët dhe i gjithë stafi pedagogjik u mblodhën për të kujtuar Erion Bobën, 15-vjeçarin që humbi betejën për jetën pas tetë ditësh përpjekjeje në QSUT.
Erioni u plagos më 26 nëntor nga një bashkëmoshatar, një ngjarje e rëndë që tronditi gjithë komunitetin. Pavarësisht gjithçkaje, ai u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme, duke lënë pas një boshllëk të madh që askush nuk mund ta mbushë.
Sot, klasa e tij ishte më e heshtur se kurrë. Në bankën ku ai ulej përherë, shokët e vendosën një buqetë me lule të bardha, si pafajësia e tij, dhe të freskëta, si kujtimet që nuk do të zbehen kurrë. Në tabelën e klasës, aty ku Erioni duhet të kishte shkruar detyrat e ditës, ishte shkruar një poezi lamtumire. Secili varg dukej sikur përpiqej të gjejë fjalët që zemrat e fëmijëve nuk arrinin t’i thoshin dot. Aty ku Erioni përshkruhej si një djalë gazmor e çapkën që të gjithë e donin.
Sot, në këtë shkollë, nuk u dëgjua zhurma e zakonshme e pushimit, as vrapimi i fëmijëve në oborr. Sot u dëgjua vetëm mungesa.