Qeveria ka miratuar sot një sërë vendimesh gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mes të cilave edhe shkarkimi i një zyrtari të lartë të propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Me vendim të kryeministrit Edi Rama, është liruar nga detyra Ermal Nufi, i cili mbante pozicionin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), si përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ermal Nufi është një emër i njohur në administratën publike, me një karrierë të gjatë në poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer më herët si zëvendës sekretar i përgjithshëm në Kryeministri, kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), anëtar i Këshillit Drejtues të ASHK-së, si dhe kryetar ex-officio i Bordit të Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG).
Në gusht të vitit 2022, Nufi u emërua shef kabineti i Belinda Ballukut, ndërsa më vonë mori detyrën e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministrit. Sipas faqes zyrtare të qeverisë, ai mban ende këtë pozicion, megjithëse nuk ka një konfirmim zyrtar nëse do të vijojë ta ushtrojë pas këtij vendimi.
Në vend të tij, Këshilli i Ministrave ka emëruar Viola Haxhiademin si anëtare të Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Viola Haxhiademi është aktualisht Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, detyrë që e ushtron prej korrikut 2019.