Policia e Spanjës ka çmontuar një grup kriminal shqiptar, i cili merrej me kultivimin masiv të marijuanës në provincën e Alicante-s. Operacioni përfundoi me arrestimin e gjashtë personave pesë burra dhe një grua të moshës nga 19 deri në 51 vjeç. Gjatë aksionit, autoritetet çmontuan katër plantacione të marijuanës në qytetet Elche, Petrer, Torrellano dhe San Miguel de Salinas, duke sekuestruar gjithashtu 1.467 bimë marijuane, fidanë, sytha dhe 3.710 euro në para të gatshme.
Hetimi i nisur pas informacioneve të marra gjatë kontrollimeve të sigurisë qytetare, ka zbuluar se grupi operonte në shkallë të gjerë, duke përdorur ambiente industriale dhe vila të përshtatura me sisteme të avancuara ndriçimi, ventilimi dhe ujitjeje. Plantacionet ishin lidhur ilegalisht me rrjetin elektrik, dhe organizata dyshohet se ishte e angazhuar në shpërndarjen e drogës nëpër Evropë. Gjatë kontrollit, agjentët e policisë theksuan kompleksitetin e strukturës, me ambiente të ndara sipas fazave të lulëzimit dhe sisteme industriale për të shmangur zbulimin përmes aromës.
Të arrestuarit përballen me akuza për trafik droge, pjesëmarrje në organizata kriminale, vjedhje të energjisë elektrike dhe, në rastin e udhëheqësit të grupit, edhe për falsifikim dokumentesh. Ai dyshohet se ka përdorur deri në tre identitete të ndryshme për të marrë me qira pronat ku mbaheshin plantacionet. Të arrestuarit janë dërguar përpara gjykatave hetimore kompetente të lokaliteteve ku u kryen arrestimet.