Ndotje masive në zonën e Freskut, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.11.2025, 12:28

Banorët e rrugës “Shefqet Kuka” në zonën e Freskut kanë ngritur shqetësimin për një situatë alarmante mjedisore që po zgjat prej kohësh. Sipas tyre, shtrati i një përroi natyral që kalonte dikur në zonë është mbyllur, dhe aktualisht ujërat e zeza të pallateve derdhen hapur në rrugë, duke krijuar ndotje, erë të rëndë dhe rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve.

Situata rëndohet edhe më shumë nga veprimtaria e një lavazhi kamionësh që ndodhet në të njëjtën zonë, i cili shkarkon lëndë ndotëse dhe substanca të kontaminuara në mjedis. Banorët shprehen se institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për zgjidhjen e këtij problemi, pavarësisht ankesave të përsëritura dhe denoncimeve publike.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Tiranës, Njësia Administrative dhe institucionet përgjegjëse për mjedisin dhe shëndetin publik. Banorët e Freskut theksojnë se kjo situatë është e papranueshme për një kryeqytet që aspiron standarde europiane dhe kërkojnë reagim urgjent nga autoritetet për kthimin e normalitetit dhe higjienës në zonë.

Mesazhi denoncues në redaksinë e JOQ:

Përshëndetje JOQ!

Ankesë për gjendjen alarmante të mjedisit në zonën e Freskut – Rruga “Shefqet Kuka”

Dua të sjell në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse dhe opinionit publik një problem shumë serioz që po prek prej kohësh banorët e zonës së Freskut, konkretisht në rrugën “Shefqet Kuka”.

Në këtë zonë, aty ku dikur kalonte një përrua natyral, shtrati i tij është mbyllur dhe sot ujërat e zeza të pallateve derdhen hapur në rrugë. Kjo është një situatë e papranueshme dhe jashtë çdo standardi minimal urban dhe shëndetësor. Nëpër këtë rrugë kalojnë çdo ditë qindra qytetarë, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, të cilët janë të detyruar të përballen me erë të rëndë dhe ndotje të vazhdueshme. Rreziku shëndetësor është evident.

Për më tepër, lavazhi i kamionëve që ndodhet në të njëjtën zonë shkarkon lëndë ndotëse dhe substanca të kontaminuara, të cilat përfundojnë në mjedis dhe në rrugë. Kjo e përkeqëson edhe më shumë situatën, duke e kthyer zonën në një vatër të vërtetë ndotjeje.

Është e trishtueshme që askush nuk ngrihet për këtë problem dhe duket sikur institucionet mbyllin sytë ndaj një realiteti kaq të dukshëm. Në një kohë kur vendi ynë aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, është e pamundur të flasim për standarde europiane ndërkohë që banorët jetojnë në kushte të tilla të mjerueshme. Me këtë gjendje mjedisore dhe higjienike, Shqipëria nuk mund të pretendojë integrim në BE. Gjithashtu, edhe më shqetësues është fakti se, sipas informacioneve, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) kërkon që qytetarët të bëjnë ankesa vetëm me shkrim, ndërsa vetë Njësia Administrative dhe Bashkia nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për zgjidhjen e këtij problemi, pavarësisht denoncimeve dhe shqetësimeve të banorëve. Heshtja institucionale nuk është përgjigje.

Kjo situatë kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe ndërhyrje nga Bashkia Tiranë, Njësia Administrative dhe institucionet përgjegjëse për mjedisin dhe shëndetin publik.

Kërkohet reagim urgjent!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit