Trump paralajmëron Maduron: Ditët e tua janë të numëruara!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.11.2025, 20:35

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Venezuelë, duke paralajmëruar se ditët e Nicolas Maduro “janë të numëruara”.

Në një intervistë për “CBS”, ai u pyet nëse Shtetet e Bashkuara po përgatiten për luftë kundër Venezuelës, por Trump e mohoi këtë mundësi: “E dyshoj. Nuk mendoj se do të ndodhë,” tha ai.

Megjithatë, kur iu kërkua të komentonte për qëndrimin e Maduro-s në pushtet, Trump u përgjigj prerë:

“Po, do të thoja që po. Ditët e tij janë të numëruara. Mendoj se po.”

Deklaratat e presidentit vijnë në një kohë kur SHBA po rrisin praninë ushtarake në Karaibe dhe kanë kryer disa sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge. operacione që, sipas Kombeve të Bashkuara dhe ekspertëve ndërkombëtarë, konsiderohen si shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar.

Sipas mediave amerikane, Uashingtoni po shqyrton mundësinë e goditjeve të kufizuara ndaj instalimeve ushtarake në Venezuelë, si pjesë e luftës kundër asaj që Trump e ka quajtur “narko-terrorizëm”.

Presidenti amerikan, megjithëse mohoi se po planifikon sulme brenda territorit venezuelian, nuk e përjashtoi plotësisht këtë mundësi, duke thënë:

“Nuk jam i prirur ta them se do ta bëj, por nuk do t’ju tregoj se çfarë do të bëj me Venezuelën.”

Nga ana tjetër, Nicolas Maduro e ka akuzuar Uashingtonin se po përdor luftën kundër drogës si justifikim për të rrëzuar qeverinë e tij dhe për të marrë kontrollin e naftës venezueliane.

Në javët e fundit, ushtria amerikane ka kryer mbi një duzinë sulmesh në Karaibe dhe Paqësor, ku janë vrarë të paktën 65 persona. Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i kanë cilësuar këto si “vrasje jashtëgjyqësore”, edhe nëse objektivat kanë qenë trafikantë të njohur.

Uashingtoni ende nuk ka paraqitur prova që personat e vrarë ishin të përfshirë në trafik droge apo përbënin kërcënim për SHBA-në.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit