Dalin faturat/ Mediu i pagoi 1100€ masazh indian LaCivita-s

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 03.11.2025, 15:37

Përmes një shkrimi investigativ janë zbuluar detaje të reja mbi shpenzimet e fushatës elektorale të 11 majit 2025, ku figuron se kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka paguar fatura për akomodim, masazhe dhe shërbime luksoze për konsulentë amerikanë të përfshirë në fushatë mes tyre emrat e njohur Chris LaCivita dhe Paul Manafort.

Sipas gazetares Esiona Konomi, Chris LaCivita, i cili ishte paguar nga Sali Berisha për të ndihmuar në të njëjtën fushatë, rezulton të ketë përfituar pagesa nga Fatmir Mediu. Në raportin financiar të dorëzuar nga ky i fundit në KQZ, evidentohet se ai ka shpenzuar 1100 euro për akomodim dhe masazhe indiane për Chris LaCivita.

Në dokumentet zyrtare të përfshira në raport, thuhet:

“Klienti do t’i paguajë Kontraktorit një Mbajtëse sipas orarit të mëposhtëm:

Akomodim në Hotel (Maj 2025):

Fatura për Stewart James Jackson: 81,312.00 ALL (kryesisht akomodim).

Fatura për Paul Manafort: 112,116.00 ALL (akomodim dhe shërbime të tjera).

Fatura për Chris LaCivita: 118,916.00 ALL (akomodim, bar dhe shërbime masazhi).”

Nga dokumentet e KQZ-së zbulohet se Mediu ka angazhuar një kompani amerikane për të menaxhuar strategjinë dixhitale të fushatës. Kontrata me Harris Media ka pasur një vlerë prej 35 mijë eurosh, dhe përfshinte shërbime si konsulencë dhe strategji dixhitale, menaxhim të mediave sociale, dizajn grafik, mirëmbajtje të faqes së internetit, si dhe asistencë për platformat META.

Në kontratë parashikohet që:

“Kontraktori do të shërbejë si strateg i medias dixhitale, duke marrë pjesë në thirrje dhe takime ditore dhe/ose javore me kërkesë të Klientit dhe duke përgatitur raporte mbi aktivitetet dhe planet mbi iniciativat kryesore.”

Për këtë bashkëpunim, Harris Media ka dërguar në Tiranë Zëvendëspresidentin e Çështjeve Politike, Brian Ruddle, nga 12 prilli deri më 19 prill 2025, si dhe Austin Parsons, një nga ekzekutivët e lartë të kontabilitetit, i cili qëndroi në Shqipëri deri në fund të fushatës.

Në kontratë theksohet gjithashtu:

“Kjo dispozitë nuk do të interpretohet si një marrëdhënie pune midis anëtarit të stafit të integruar dhe Klientit. Anëtari i stafit do të mbetet nën drejtimin dhe punësimin e Kontraktorit gjatë gjithë kohëzgjatjes së detyrës.”

Shpenzimi për këtë bashkëpunim është bërë në formën e një pagese të vetme:

“Shpenzim një herësh prej 35,000 dollarësh, për të gjithë kohëzgjatjen e kësaj marrëveshjeje. Klienti do të rimbursojë Kontraktorin për të gjitha rregullimet e udhëtimit dhe akomodimit.”

Nga përmbledhja financiare e dorëzuar në KQZ, Partia Republikane rezulton të ketë pasur një total të ardhurash prej 11,808,057 lekësh.

Këto të ardhura janë ndarë si vijon:

  • Nga fondet publike: 2,689,113.00 ALL
  • Nga burime jopublike: 9,118,944.84 ALL

Raporti i detajuar i shpenzimeve ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përdorimit të fondeve elektorale dhe pagesat luksoze të bëra për konsulentët e huaj gjatë fushatës së 11 majit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit