Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka vendosur t’i heqë të drejtën e tregtimit të barnave të rimbursueshme kompanisë CFO Pharma, në pronësi të oligarkut të autobusëve të Unazës Nadir Çausholli.
Ky vendim ka ardhur menjëherë pas emërimit të drejtorit të ri të FSDKSH nga ministrja Evis Sala, punonjësja e oligarkut të Shëndetësisë Klodian Allajbeu. Drejtori i ri i Fondit, Arti Papajani duket se ka favorizuar në këtë aspekt Ilir Shehun e Medicamentas, rivalin e Çaushollit, i cili e denoncoi këtë të fundit për mashtrim me fatura fiktive.
Sipas vendimit, kompania e mikut të Veliajt dhe përfituesit të miliarda lekëve para publike nga tenderat shtetërorë nuk do të lejohet më të furnizojë tregun me ilaçe të rimbursueshme, por mund të vazhdojë shitjen e produkteve në tregun e lirë.
Ky vendim u mor pas skandalit me rimbursimet fiktive, që u denoncua fillimisht nga kompania italiane “Chiesi” dhe partnerja e saj në Shqipëri, “Medicamenta”. Kjo e fundit ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës kundër CFO Pharma-s, duke e akuzuar për mashtrim dhe përfitime të paligjshme përmes dy barnave që përdoren në trajtimin e astmës.
Rreth dy javë më parë, Prokuroria e Tiranës urdhëroi kontrolle në ambientet e CFO Pharma-s dhe në dy kompani të tjera të lidhura, të cilat dyshohen se funksiononin si satelitë në skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme.
Ndërkohë, krahas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, SPAK po zhvillon një tjetër hetim, që përfshin edhe ish-drejtorin e FSDKSH-së, Spartak Zekja. Ai u kallëzua nga ish-drejtori i kontrollit të Fondit si person i përfshirë në të njëjtën aferë. Vetëm një muaj më parë, Zekja u shkarkua nga detyra, ndërsa në vend të tij u emërua Arti Papajani.
Skandali i fundit ka rikthyer në vëmendje problemin e rimbursimeve fiktive, një praktikë që, sipas raportimeve, vazhdon të zhvasë fonde publike edhe në kurriz të pacientëve më të sëmurë. Deri tani, as Prokuroria e Tiranës dhe as SPAK nuk kanë ndërmarrë masa konkrete, ndonëse dyshimet për përfshirje të strukturave shtetërore mbeten të forta jo vetëm në Fond, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.
Vjedhja e fondeve për ilaçet e të sëmurëve shihet si vija e kuqe e paprekshme e sistemit shëndetësor, por përsëritja e aferave të tilla tregon se si FSDKSH dhe Ministria e Shëndetësisë janë institucione të rrënuara nga korrupsioni, që “vjedhin edhe sëmundjen”.